Në komunën e Tetovës sot në prani të përfaqësuesve të sektorit joqeveritar u organizua panel diskutim dhe debat i hapur, ku të pranishëm ishin ambasadori i zyrës së BE në vend Samuel Zhbogar, kryetarja e komunës Teuta Arifi, zv.ministri i mbrojtjes Bekim Maksuti, kryesuesi i këshillit komunal Bekim Memeti etj.
Në këtë debat u bë thirrje deri tek organizatat joqeveritare që të bëhen pjesë e koalicionit “Bashkë për Maqedoni Evropiane”, që paraqet një lëvizje joformale nga grupet qytetare, bashkësitë, organizatat joqeveritare, sindikatat, partitë politike, odat ekonomike, të cilat lidhur me referendumin e 30 shtatorit, pajtohen ti ftojnë qytetarët të dalin për të votuar për Maqedoni evropiane.
“Janë të pakontestueshme benefitet të cilat vendet e vogla, si Republika e Maqedonisë i përfitojnë nga anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike dhe ato janë: Pjesëmarrje aktive në marrjen e vendimeve me anë të konsenzusit të plotë të shteteve pjesëmarrëse, për shtetet e vogla kjo dmth një vizibilitet dhe faktorizim më të madh ndërkombetarë”, vlerësoi mes tjerave në debat zv.ministri i mbrojtjes Maksuti.
“Gjithashtu një nga benefitet e anëtarësimit në NATO është padyshim mbrojtja kolektive, pasi që sistemi kolektiv i mbrojtjes për shtetet e vogla është shumë më pak i kushtueshëm dhe shume me efikas se ai vetanak apo shtetëror.
Paralelisht me këtë një anëtarësim i plotë i vendit tonë në NATO padyshim që nënkupton mundësi më të mirë për adresim të sfidave të reja të sigurisë si dhe zhvillim të proceseve demokratike në vend, pasi që praktika e vendeve që janë anëtarësuar në NATO flet qartë për një tendencë pozitive të miratimit dhe vënies në funksion të shumë ligjeve që sigurojnë kontroll më të madh të shoqërisë mbi ushtrinë, luftimin e politikave nacionaliste, zgjerim të të drejtave të shoqërisë civile, dhe një sërë masash të tjera ligjore që sigurojnë një zhvillim më të madh demokratik të vendeve anëtare”, theksoi mes tjerave Maksuti.