I rrethuar nga kodrina dhe fshatra, ujërat e liqenit Potpecko në Serbinë perëndimore, kanë qenë dikur një vend piktoresk peshkimi.
Por, kohët e fundit, vetëm era e ujit në këtë liqen mjaftonte për të zbrapsur çdo vizitor. I gjithë liqeni është mbushur me masa të stërmëdha mbeturinash duke u kthyer në një landfill gjigant në rajon, që ka nxjerrë krizën e mbeturinave në Ballkan, edhe një herë në plan të parë.
Ujërat e liqenit në fakt shihen pak tani pasi mbi to, qëndrojnë rreth 8 mijë metra kubë shishe plastike dhe mbetje të tjera, të përziera me shkopinj dhe baltë.
Ballkani perëndimor, kujton AFP, mban disa nga lumenjtë e egër të Evropës dhe panoramat më të kristalta të natyrës. Por, dështimi i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve në rajon, po kërcënon ambjentin dhe shëndetin publik. Shirat e rrëmbyeshëm në janar, e nxorën edhe një herë në pah problemin e hershëm, pasi përmbytjet morën me vete mbeturinat nga rrugët dhe vendet e tjera të paligjshme të mbledhjes së tyre, duke i dërguar në lumenj.
Në të gjithë rajonin në fakt, menaxhimi i mbeturinave mbështetet në buxhete të vogla dhe zyrtarët nuk e konsiderojnë aspak një emergjencë. Riciklimi është minimal ndërsa vendet e paligjshme të grumbullimit janë të zakonshme.
E njëjta panoramë me atë në serbi, mund të shihet edhe në Bosnje dhe Maqedoninë e veriut, në panoramat e këndshme malore të të cilës, nuk mungojnë mbeturinat e të gjitha llojeve. Vendgrumbullime të paligjshme po ashtu rrethojnë edhe kryeqytetin Shkup. Situata, është po kaq e rëndë edhe në Kosovë, ku vetëm gjysma e 1.8 milionë banorëve mbulohet nga shërbimet e mbledhjes së mbeturinave.