U bë më shumë se një javë që banorët e Tanushës, Brezës dhe Malinës nuk po lidhen dot me kryeqendrën edhe pse janë vetëm 40 kilometra larg saj.
Banorët e këtyre fshatrave prej para vitit të ri nuk mund të lëvizin, pasi që rrugët janë tërësisht të bllokuara. Banorët ankohen se askush nuk ka ardhur të pastrojë rrugën që i lidh me Shkupin.
“11 ditë jemi të bllokuar, këtu ka një dimër polar, një kohë të gjatë nuk mbajmë mend se ka pasur një dimër të tillë. Rrugët për momentin i kemi të bllokuara të gjitha, nuk lëvizim dot askund. Trashësia e borës ka arritur prej 85 deri më 105 centimetra, ndërsa në disa vende tjetra ku reshjet e dëborës kanë qenë të shpeshtuara, me erëra të fuqishme, aty ka arritur mbi 5-6 metra”,- tha banori i fshatit Brezë, Hevzi Ferati.
Banorët e Karadakut thonë se në këto vende malore ka njerëz të sëmurë që kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore dhe ilaçe. Ata luten edhe që fëmijët të mos u sëmuren nga fruthi.
Nëse nuk pastrohen rrugët në ditët në vijim, banorët druajnë se do të mbesin edhe pa ushqime për ta dhe për bagëtitë e tyre, andaj bëjnë apel për ndihmë nga institucionet.
“Nevojë kemi edhe për ilaçe, për bukë, ushqime për bagëtitë, normalisht kemi edhe fëmijë në Brezë, Malinë dhe Tanushë, jemi rreth 37 shtëpi. Inshallah nuk na bie ky fruthi, sepse nëse bie, asnjë fëmijë nuk na shpëton pa pasur ndihmë mjekësore. U bëjë apel Ministrisë për Punë Sociale dhe Qendrës Civile të na ndihmojnë, le t’i zhbllokojnë rrugët dhe le të na sjellin ndihma, sepse edhe ne jemi tatimpagues të këtij shteti dhe iu kisha lutur që mos të na lënë pas dore”,-tha banori i fshatit Brezë, Hevzi Ferati.
Edhe përkundër përpjekjeve të shumta të banorëve por edhe të TVM2, askush nga komuna e Çuçer Sandevës nuk u përgjigj për problemin në fjalë.
Komuna është në pushim për shkak të festës. Reshje te reja të borës me intensitet më të madh në viset malore sinoptikanët parashikojnë në ditën e mërkurë dhe të enjte.