Mallakastër/ Zjarri në kompaninë e naftës, arrestohet shefi i sigurimit teknik. Zbulohet arsyeja që shkaktoi flakët

Policia ka zbardhur ngjarjen e shpërthimit të flakëve në stacionin e pompimit të naftës në Mallakastër, ku është vënë në pranga një 40-vjecar, shef i sigurimit teknik.

Ai nuk kishte marrë masat e sigurimit teknik, ndaj në sallën e pompave të sektorit të dekantimit të kompanisë së naftës ka shpërthyer një pompë centrifugale, ka marrë flakë tubacioni dhe për pasojë është dëmtuar me djegie operatori i prodhimit.

50-vjeçari mori djegie të shkallës së rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Marketing

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan shtetasin E. A., 40 vjeç, banues në Fier (Shef i sigurimit teknik pranë sektorit të dekantimit në një kompani nafte). 

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në datën 03.05.2021, në fshatin Kash, Mallakastër, për shkak të mosmarrjes së masave të sigurimit teknik, në sallën e pompave të sektorit të dekantimit të kompanisë së naftës ka shpërthyer një pompë centrifugale, ka marrë flakë tubacioni dhe për pasojë është dëmtuar me djegie operatori i prodhimit, shtetasi V. B., 50 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.   

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.