Ministria e Punëve të Brendshme informon se në orën pesë të mëngjesit një dëshmitar ka denoncuar se së pari ka dëgjuar zërin e thyerjes së xhamit dhe ka parë zjarr në derën e hyrjes së klubit kulturor të bullgarëve në Manastir, raporton KlanMacedonia.
“Zjarri është lokalizuar nga ana e ekipeve të zjarrfikësve në Manastir, ndërsa ekipi i ekspertizës dhe prokurori publik kujdestar kanë kryer ekspertizë. Merren masat dhe aktivitetet adekuate për zbardhjen e rastit.” – thonë nga ministria e punëve të brendshme
Me gjykim të ashpër ka reaguar Ministri i Punëve të Jashtme, duke e cilësuar incidentin si “zjarr të qëllimshëm”.
“Akti këtillë vandal është eshtë edhe një fakt se ka shumë aktorë që janë kundër arritjes së përparimit në marrëdhëniet në mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe të ardhmes tonë të përbashkët. Kjo vepër penale jorastësisht është kryer në ditën kur të dyja vendet do të realizojnë dialog në funksion të tejkalimit të çështjeve të hapura në rrugën e eurointegrimit të Maqedonisë së Veriut.” – deklaroi Bujar Osmani, ministër i punëve të jashtme.
Në rrjetet sociale ka reaguar edhe Presidenti Stevo Pendarovski.
“Në mënyrën më të ashpër e dënoj ndezjen e objektit të qendrës kulturore të bashkësisë bullgare në Manastir. Aktet e këtilla janë provokim dhe nuk janë në dobi të avancimit të marëdhënieve me Bullgarinë. Bëj thirrje për hetime të shpejta dhe të detajuara për gjetjen dhe sanksionimin e kryerësve.” – deklaroi Pendarovski.
Në Bullgari në mesin e të parëve ka reaguar zëvëndsja e Presidentit, Ilijana Jotova, e cila zjarrin në derën hyrëse të klubit “Ivan Mihajlov” e ka përshkruar si provokim.
“Zjarri është provokimi më i ri dhe pjesë e fushatës së ndyrë antibullgare, e cila filloi menjëherë pas hapjes së klubit. Që nga hapja, para një muaji, kur mori pjesë delegacioni i madh bullgar, kemi deklaruar se funksioni i vetëm i klubit është ruajtja e kulturës dhe identitetit të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut. Vetëm reagimi i shpejtë i institucioneve për gjetjen e kryerësve do të dëshmojnë se fqinji perëndimor i respekton të drejtat e bullgarëve.” – deklaroi Iljana Jotova, zv presidente në Bullgari.
Muaj më pare hapja e qendrës kulturore të Bullgarëve në Manastir shkaktoi protesta të banorëve lokalë dhe reagime të ashpra në opinionin e gjërë se emri i zgjedhur “Ivan (Vanço) Mihajlov” është fyes për popullin maqedonas, i cili këtë figurë të së kaluarës e percepton si kundërshar të shtetit të pavarur maqedonas dhe të veçantisë së popullit maqedonas.