Dera e komunës së Manastirit u mbyll gjysmë orë para përfundimit të orarit të punës. Siç mësojmë, të gjithë të punësuarit në godinën e komunës janë larguar më herët për shkak të protestës së paralajmëruar. Qytetarët e Manastirit, edhe përkundër temperaturave të ulëta, nuk u hezituan të dalin në protestë kundër ndotjes së lartë të ajrit.
“Protesta e sotme ka një qëllim – ta shprehim revoltën tonë kundër asaj që ndodh në Manastir. Të dhënat flasin se në Manastir numri i të prekurve me kancer të mushkërive, aktualisht është dy herë e gjysmë më i lartë nga niveli qendror. Gjithashtu, edhe numri i fëmijëve të sëmurë nga neoplazma malinje është shqetësues, kurse përqendrimi i grimcave PM10, në Manastir çdo ditë është mbi nivelin e lejuar”, tha Gabriella Ilievska, këshilltare nga “Ndyshe”.
Protestuesit kërkuan që Qeveria të jep përgjigje pozitive lidhur me kërkesën për subvencionimin e rrymës.
“Si aktivist qytetar, duke e marrë parasysh qeverisjen e mëparshme, mendova se me ndryshimin e pushtetit, qytetarët e Manastirit nuk do të kenë nevojë më t’i paraqesin kërkesat e tyre. Manastirasit duhet të marrin frymë, Manastiri duhet të marrë frymë. Është koha që Manastiri të mos jetë më dëmi kolateral për gjithë Maqedoninë. Kërkesa jonë për subvencionimin e rrymës është vetëm një hap i vogël nga ajo që Manastiri duhet ta marrë realisht”, u shpreh Ivan Çullakoski, aktivist qytetar.
Përkrahje për Manastirin erdhi edhe nga Shkupi.
“Shkupi është solidarizuar me Manastirin, sepse e ndajmë problemin e njëjtë. Mund të them se do t’i përkrahim të gjitha nismat qytetare të individëve dhe të shoqatave të cilat kërkojnë ajër të pastër dhe ambient të pastër, veçanërisht kur në fokus janë fëmijët.
Këtu jemi për ta ngritur zërin dhe të themi se kështu nuk mundet më”, tha Dragi Zmijanac, ambasada e fëmijëve “Megjashi”.
Stacionet matëse Manastiri 1 dhe 2, që gjenden në zonën qendrore dhe industriale në Manastir, çdo ditë tregojnë prani të lartë të grimcave PM10 dhe PM2.5 në ajër. Më alarmante ishte ajo që të martën stacioni Manastiri 1, mati 441 mikrogramë në metër kub.
Kjo është protesta e parë në Manastir, kundër ndotjes së ajrit pas ndryshimit të pushtetit lokal, ndërsa protesta të tilla paraprakisht u organizuan edhe në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë. Ndryshe, për masat që i ndërmarrin vendet evropiane për mbrojtjen e mjedisit jetësor, flet vetë informacioni se Luksemburgu edhe pse është vend me ndotje të ulët të ajrit, nga viti i ardhshëm do të ketë transport publik falas. Berlini vitin e kaluar, edhe pse stacionet matëse tregonin 70 mikrogramë të grimcave PM10, e ndaloi shfrytëzimin e automjeteve dizel.