Manastir: Vdes foshnja e posalindur – nisin hetimet

Një foshnjë, dy orë pas lindjes ka ndërruar jetë në Spitalin e Manastirit. Bëhet fjalë për fëmiun e parë të nënës 24-vjecare që është mbajtur për trajtim spitalor. Në Manastir ka qëndruar edhe Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, i cili paralajmëroi se rasti do të shqyrtohet duke mos prejudikuar nëse bëhet fjalë për gabim mjekësor.

Marketing

Në Spitalin e Manastirit ndodhi tragjedi e re. Një nënë 24-vjeçare ka humbur foshnjën e saj të posalindur.

Nesër Inspektorati Shëndetësor dhe Sanitar do të qëndrojë në Spitalin Klinik të Manastirit për të konstatuar shkaqet e vdekjes së foshnjes e cila kishte ndërruar jetë gjatë lindjes në repartin e Gjinekologjisë së këtij Spitali. Në këtë spital ka qëndruar edhe Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

“Erdhëm që për së afërmi të shohim se cfarë ka ndodhur. Nesër nga Inspektorati do të dërgojmë komisionin për të konstatuar shkaqet. Sipas raportit të parë, foshnja ka lindur e gjallë me tahikardi. Bisedova me nënën e foshnjes së humbur se si është vepruar. Nëse ka lëshime do të ketë përgjegjësi. Shërbimet do të zbulojnë dhe do të dalim me raport përfundimtar”, tha Fatmir Mexhiti.

Për vdekjen e 5 vjeçares Jana Hristovska, e cila ndërroi jetë muajin e kaluar në Repartin Pediatrik, Ministri Mexhiti tha se pritet raporti i detajuar i obduksionit./