Mançevski: Mediat të pavarura nga politika

Në ditën e lirisë së mediave, autoritetet vlerësojnë se në dy vitet e kaluara është punuar mjaftueshëm sa i përket lirisë së mediave dhe largimit të ndikimit të politikës në politikën redaktuese të mediave të pavarura.

Marketing

Por, ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski, pranon se ende ka shumë punë në këtë drejtim. Deri në mes të këtij viti priten reforma në Servisin Publik dhe Agjencinë e Mediave.

“Miratuam Ligjin për shërbime audio dhe audiovizuele, që është bazë për departizimin e mediave. Kishte kundërshtime të ashpra të opozitës, por më në fund të gjithë politikanët “hoqën dorë” nga mediumet. Të ardhshëm në radhë për reforma janë Këshilli pranë Agjencisë për shërbime audio dhe audiovizuale dhe Radiodifuzeri nacional. Realisht rezultate të dukshme presim ka mesi i vitit”,- tha ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski.

Sulmet ndaj gazetarëve, sipas autoriteteve, janë zvogëluar trefish, por në pyetjen se ku ka mbetur zbardhja e sulmit të fundit ndaj ekipit të TV21 në Haraçinë, ministri pa resor i angazhuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, Robert Popovski, tha se duhet pyetur gjykata dhe jo qeveria. Për këtë rast, Prokuroria vendosi se nuk ka bazë të ndiqet sipas detyrës zyrtare, ndërsa gazetari ka refuzuar të ngre padi private.

“Ju e dini që atë rast kryetarja e komunës e dënoi menjëherë dhe kërkoi nga institucionet që menjëherë të zbardhin rastin. Ajo që qeveria mund të bëjë është vetëm ta komentojë, por se si funksionon gjyqësori, pakënaqësinë nga puna e gjyqësorit duhet ta adresoni atje”,- tha përgjegjësi për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, Robert Popovski.

Zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, potencoi me këtë rast se mediat e lira ndihmojnë qeverinë drejt Bashkimit Evropian.
Ai tha se institucionet dhe gazetarët duhet të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të mundësuar informim të drejtë dhe korrekt në këtë kohë të lajmeve të rrejshme dhe kërcënimeve hibride.

Marketing