Manchester United bie në shtëpi, Fulham e mposht 1-2

Premier League e futbollit në Angli është në javën e 26-të. Kjo e shtunë sportive nisi në orën 16:00 me katër duele, aty ku ra në sy humbja 1-2 e Manchester United në shtëpi nga Fulham. Te tri pikët doli Aston Villa, që mposhti 4-2 Nottinghamin dhe Crystal Palace që mposhti 3-0 Burnleyn.

Marketing

Në “Old Trafford”, Manchester United u mposht 1-2 nga Fulham. Miqtë gjatë 90 minutave mbajtën në stol Armando Brojën, me sulmuesin e Kombëtares që nuk mori minuta në këtë takim. Pjesa e parë e takimit u mbyll me rrjeta të paprekura, për t’ia lënë spektaklin fraksionit të dytë. Duhej goli i Bassey në të 65 minutë që londinezët të kalonin në epërsi, para se Harry Maguire të vendoste ekuilibrat në të 89 minutë.

Por, nuk qe e thënë që United të dilte me pikë në shtëpi. Iwobi në shtesën e shtatë të ndeshjes shtangu “Teatrin e Ëndrrave” me golin e tij, duke i dhënë tri pikë Fulhamit në limite.

Kështu, pas pesë ndeshjeve radhazi me fitore, United humbet në Premier League dhe me 44 pikë mban vendin e gjashtë. Ndërkohë që Fulham me 32 pikë ngjitet në vendin e 12-të.

Te tri pikët këtë javë doli edhe Aston Villa që mundi 4-2 Nottinghamin. Uatkins, Douglas Luzi me dopietë dhe Bailey shënuan për skuadrën nga Birmingham.

Premier League, java 26:

E shtunë

Aston Villa 4-2 Nottingham

Brighton 1-1 Everton

Crystal Palace 3-0 Burnley