Nxënësit dhe profesorët maqedonas të shkollës së mesme profesionale të qytetit “Marija Kiri Skllodovska” kanë nisur bojkotin e mësimit për shkak të emërimit të drejtorit shqiptarë të shkollës. Ata kërkojnë drejtor tjetër pasi siç thanë kanë përvojë të keqe me paralelet që mësimin e zhvillojnë në gjuhën shqipe.
Kërkesa jonë është se ne nuk dëshirojmë të jetë shqiptar sepse kemi përvojë të keqe. Para disa viteve kemi pasur disa paralele të gjimnazit në të cilat kishte revoltë të madhe. Komuna e Aerodromit kishte shumë nxënës që mësonin në këtë shkollë me nxënësit shqiptarë dhe tashmë tre-katër vitet e fundit nxënësit maqedonas nuk regjistrohen- thotë një profesor.
Protesta e prindërve dhe profesorëve maqedonas është nxitur edhe pas disa postimeve në rrjeteve sociale ku vendimin për emërimin e drejtorit shqiptar ishte vlerësuar si akt historik.
Në postin e drejtorit me vendim të kreut të Shkupit, Petre Shilegov është emëruar Blerim Nebiu, psikolog i shkollës në fjalë. Shilegov thotë se emërimi është bërë duke respektuar të gjitha procedurat ligjore.
Dje e kam emëruar ushtrues të detyrës drejtor të shkollës së mesme të kimisë. Ai i plotëson të gjitha procedurat ligjore.
Nuk mendoj se ka hapësirë për revoltë ose çfarëdo lloj trumfalizmi në këtë rast. Nuk do të lejojë që politika të futet në shkolla, si kryetar i qytetit nuk do të lejojë një gjë të tillë. Të gjitha kushtet ligjore për kryerjen e detyrës ai i plotëson. Apeloj ti normalizojnë marrëdhëniet dhe procesin e arsimit për shkak se nuk kemi nevojë për krijim të situatave për të cilat vërtet nuk kemi hapësirë- deklaroi Petre Shilegov.
Nga Ministria e Arsimit thonë se nuk janë të njoftuar me këtë rast, por apelojnë për normalizimin e procesit mësimor.
Nuk na duhen as triumfalizëm e as asgjë tjetër por në mënyrë kualitative të jemi të ngritur në realizimin e procesit arsimorë. Nëse ka çfarëdo shkelje, normalisht që do të kërkojmë përgjegjësi, por për shkak se nuk jam i informuar në detaje për këtë rast, ndoshta në një takim me arsimtarët dhe një takim me të gjithë palët e involvuara do të shohim se çka konkretisht po ndodh në këtë rast- tha Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të rikthehen në mësim deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.