Minoriteti maqedonas po rrezikon zhdukjen në disa prej zonave kufitare në Shqipëri pasi shumë prej tyre po marrin pasaportat bullgare për arsye ekonomike.
Në komunën e Pustecit dhe në zonat kufitare të Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut, varfëria dhe mungesa e perspektivës po shtyn minoritetin të marrë nënshtetësinë dhe pasaportën bullgare.
Në këtë zonë jeton komuniteti i deklaruar si maqedonas, por edhe ai bullgar sa vjen e po rritet.
“Nuk ka të rinj në rajonin e Gorës dhe të Gollobordës në Shqipëri, ku jeton pakica maqedonase, që të mos ketë qenë me ekskursion falas një javor në Bullgari. Bullgaria po shfrytëzon varfërinë e tyre për të shtuar komunitetin e vet në Shqipëri, ku edhe pse askush nuk flet bullgarisht dhe as nuk prezantohen si të tillë, të gjithë flasin për rrënjët e tyre bullgare,” shprehet deputeti i pakicës maqedonase në parlamentin shqiptar, Vasil Sterjovski.
Me ligjin e vitit 2017 për mbrojtjen e minoriteteve, janë njohur zyrtarisht të drejtat e qytetarëve me etni bullgare në rajonin e Prespës, Gollobordës dhe Gorës.
Organizatat vlerësojnë se në Shqipëri jetojnë rreth 100 mijë banorë me prejardhje bullgare.
Ndërsa nuk dihet numri i saktë i pjesëtarëve të pakicës maqedonase me pasaporta bullgare, pretendohet që shifra të arrijë deri 60 mijë.
Të pasurit shtetësi bullgare lehtëson lëvizjen e tyre dhe planet për të punuar në Bashkimin Europian.
Për të evituar abuzimet me lëshimin e pasaportave, Sofja zyrtare prej tri vitesh kërkon dokumente për të provuar origjinën bullgare të prindit apo të stërgjyshërve të aplikuesve.