Numri i punëtorëve në Maqedoni që kanë pësuar lëndime në vendin e punës ka shënuar rritje. Nga janari deri ne tetor të këtij viti, Inspektorati shtetëror i punës ka regjistruar afër 1500 raste të aksidenteve në punë, dhe numri i atyre që kanë ndërruar jetë janë 17 persona.
Siguria në punë Maqedoni vazhdon të jetë në nivel të ulët. Mos sigurimi i kushteve bazike të sigurisë në punë dëshmon trajtimin e dobët të punëtorëve në Maqedoni. Punëtorët, veçanërisht ata në sektorin privat, punojnë në kushte shumë të vështira, për një pagë minimale, me orar të tejzgjatur, pa pushim të merituar dhe me pak siguri.
Ekspertët nga ana tjetër thonë se, kompanitë duhet të kuptojnë se mbrojtja në punë nuk është vetëm harxhim, por edhe investim për shkak se punëtori i shëndoshë është produktiv. “Siguria dhe mbrojtja në punë nuk është vetëm obligim ligjor, por edhe nevojë thelbësore për përmirësimin e produktivitetit dhe progresit ekonomik të çdo shteti”, shprehen ata.
Mos pagesa me rregull e pagave mujore, largime pa bazë nga vendet e punës, mungesë e sigurisë në vendet e punës… paraqesin vetëm një pjesë të lëndëve që Komiteti i Helsinkit i ka trajtuar gjatë muajit të kaluar. Duke raportuar për shkeljet e të drejtave të punëtorëve në Maqedoni, nga KH theksojnë se edhe vendimet gjyqësore nuk korrespondojnë me kornizën ligjore mbi të cilën ato veprojnë.
“Gjatë muajit të kaluar, një punëtor ka denoncuar se pas arritjes së marrëveshjes me punëdhënësin për të ndërprerë marrëdhënien e punës, nga ky i fundit është iniciuar procedurë gjyqësore për dëmshpërblim, për shkak të shkeljes së klauzolës për konkurrencë nga ana e tij. Gjykata Themelore Shkupi 2, e cila kryesisht trajton lëndë civile, në këtë rast e ka proceduar padinë e punëdhënësit dhe ka vendosur në dëm të punëtorit.
Në pajtim me Ligjin për marrëdhënie pune, klauzola konkurrente mund të arrihet vetëm nëse marrëveshja e punës ndërpritet me dëshirë apo faj të punëtorit. Në rastin konkret, bëhet fjalë për shprehje të vullnetit të dyanshëm, dhe nga këtu bëhet e paqartë se si Gjykata ka miratuar një vendim të tillë. Sidoqoftë, punëtorit e ka ankimuar vendimin e Gjykatës dhe ekipi juridik i Komitetit të Helsinkit do të vazhdoj ta mbikëqyr rrjedhën e këtij rasti”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Lëndimet e punëtorëve në vendet e punës si pasojë e mungesës së kushteve adekuate, po ashtu përfshihen në listën e denoncimeve që i trajton Komiteti i Helsinkit. Kështu, ata njoftojnë se vetëm gjatë muajit të kaluar janë regjistruar lëndime të tre punëtorëve, ndërsa një punëtor duke i kryer detyrat e tij, ka humbur jetën.
“Në mënyrë shtesë, gjatë muajit nëntor, në një kantier ndërtimi nuk kishte gardh të përshtatshëm mbrojtës, gjegjësisht punëtorët aktivitetet e tyre i kryenin në mungesë të pajisjeve të duhura për mbrojtje gjatë punës. Për këtë arsye, ne kemi parashtruar kërkesë deri te Sektori për siguri dhe shëndet pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Inspektoratit të ndërtimit në Komunën e Ohrit, për realizimin e kontrollit të jashtëzakonshëm. Problematikën në fjalë ne vazhdojmë ta përcjellim dhe jemi në pritje të përgjigjeve nga organet e apostrofuara”, raportojnë nga Komiteti i Helsinkit.