Ka shënuar rritje numri i migrantëve ilegal transit në Republikën e Maqedonisë. Shifrat e dhjetë mujorit të parë të këtij viti tregojnë që ka edhe rritje të rasteve të zbuluara dhe të parandaluara të migrimit ilegal, nga ana e Ministrisë së Brendshme. Në mbi 80% të rasteve për hyrje në Maqedoni shfrytëzohet kufiri me Greqinë kurse për tranzit shfrytëzohen rrugët alternative që çojnë në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
“Është fakt se në vitin 2018 ka rritje të theksuar të numrit të përpjekjeve që janë zbuluar dhe parandaluar për migrim ilegal përmes territorit të RM-së. Vetëm në 9 muajtë e parë të këtij viti u parandaluan mbi 13 000 përpjekje, që është rreth 4 herë e gjysmë më shumë se periudha e njëjtë vitin e kaluar, kur numri i përpjekjeve të parandaluara ishte rreth 3 000”, tha Magdalena Nestorovska, Ministria e Punëve të Brendshme.
Njësia nacionale për eliminimin e grupeve të trafikantëve ka zbuluar 404 raste të trafikimit në tentativë me migrantë në të cilët ishin përfshirë rreth 800 migrantë vetëm në 9 muajtë e parë të këtij viti, krahasuar me 11 rastet e zbuluara në periudhën e njëjtë vitin e kaluar, ku ishin përfshirë 100 migrantë. Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit thotë se as institucioni që ajo drejton e as dikasteri i Brendshëm nuk ka informata për fatin e migrantëve që i kalojnë kufijtë ilegalisht.
“Edhe përskaj asaj se nuk ka numër të mjaftueshëm të njerëzve nëpër kampe, kjo nuk do të thotë se nuk ka njerëz që nuk tranzitojnë nëpër Republikën e Maqedonisë. Këtu ngritet pyetje për sigurinë e tyre, duke i pasur parasysh të gjitha ato grupe trafikantësh, të cilat lëvizin rreth kalimeve kufitare dhe në pjesët ku mendoj se as ne e as policia nuk mund t’iu ndihmojë. Për fat të keq shumë rrallë marrim informata se çfarë ndodh me to”, u shpreh Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit.
Zekir Jakupovski nga Qendra për menaxhim me kriza ndërkohë thotë se vendi po qëndron në gatishmëri, sepse kriza e vitit 2015 me migrantët mund të përsëritet në çdo moment. Institucionet theksojnë nevojën për bashkëpunim rajonal për qasje ndaj këtij problemi dhe rritjen e kapaciteteve të vendeve për ballafaqimin me të. Nga janari deri më 15 tetor, azil në vend kanë kërkuar 284 migrantë.