Shkruan: Shkëlzen Halimi
Shoqëria shqiptare gjithandej hapësirave të Ballkanit, por edhe më gjerë, brenda vetes akoma ka individë që s’mund të çlirohen nga logjika e të qenët rob dhe shërbëtor të atyre që me dekada i trajtuan si një paçavure.
Historia shqiptare ka evidentuar shumë personalitete që kanë qenë në anën e kundërt, në shërbim të armikut, që ka luftuar kundër gjakut të vet. E gjithë kjo tradhti ka ndodhur për çështje materiale të pavlerë.
Megjithatë, ndonëse tashmë kemi një pasqyrë të qartë dhe jetojmë në një rend të ri politik dhe ndonëse komunizmi që mbahej vertikalisht përmes një kontrolli brutal, përfshi edhe spiunimin, si segment shumë i rëndësishëm në luftimin e “armikut” të brendshëm në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti, “zyrtarisht” ka marrë fund para më shumë se 30 vjetëve, prapë se prapë shqiptarët nuk e kanë kuptuar një të vërtetë se ekzistenca si parazit ta zhbën dinjitetin dhe të bën thjeshtë vegël në duar të atyre që natën të vrasin e ditën të vajtojnë.
Administrata shtetërore e Maqedonisë së Veriut jo vetëm që është e ngarkuar së tepërmi, por në një mënyrë është bërë një lloj xhuboksi për plotësimin e dëshirave partiake e klanore. Përfshirja në këtë shtyllë shtetërore, sidomos e shqiptarëve, është bërë pa ndonjë kriter të veçantë – kriter i vetëm ka qenë dhe vazhdon të jetë vetëm besnikëria partiake. Dhe, kur kemi një profil të tillë të punësuar, atëherë mund ta paramendojmë një pasqyrë rreth trajtimit të administratorëve shqiptarë në ato dikastere, të cilat udhëhiqen nga pala maqedonase. Mjaftë është folur për mos-avancimin e shqiptarëve, duke i mbajtur me vite e vite si praktikantë e bashkëpunëtorë të rinj. Por, jo të gjithë e patën këtë fat të ngecjes në një vend.
Disa individë, çuditërisht, arritën të avancohen. Nuk bëhet fjalë për ndonjë sukses apo meritë të tyre. Thjesht, ata i kapërcyen disa pengesa, duke i spiunuar te shefat e tyre (joshqiptarë), sidomos shqiptarët. Pra, shqiptarët spiunojnë shqiptarët për gjëra banale. “Ndershmëria” e tyre, duke qenë besnikë të devotshëm dhe duke i kontrolluar nga distanca apo prapa shpinës pikërisht shqiptarët, natyrisht se është “shpërblyer”, sepse në “gjuajtjen e shtrigave”, siç dihet, shqiptarët tërheqin pika maksimale.
Flitet se shembuj të këtillë “besnikërie” ka në lëmin e kulturës, ku vetë shqiptarët e “ndershëm” i kanë krijuar disa standarde (të mirëseardhura për palën tjetër) për avancimin dhe ruajtjen e pozitës. Ky spiunim bashkëkohor jo që është për keqardhje, por edhe pervers, sepse në fund të fundit, spiunët e kanë fatin e limonit të shtrydhur…
Janë disa shqiptarë, edhe pse të zhytur deri në fyt në llumin e mëkatit, kur vjen nata ata bëjnë gjumë të rehatshëm. Nuk kanë as ndërgjegje e as moral, as ndjenja e as mendje të ndritur, përkundrazi…