Ministri i Kulturës Asaf Ademi, është pritur sot në Prishtinë nga homologu i tij, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi . Dy ministrat u dakorduan për zgjerimin e bashkëpunimit në sferën e kulturës.
“Gjatë takimit u dakorduam që Ministria e Kulturës së Kosovës dhe ajo e Maqedonisë ta kenë një marrëveshje të re, të përbashkët, për aktivitetet kulturore edhe në Kosovë edhe në Maqedoni, duke e pasur gjithmonë parasysh që një numër i madh i shqiptarëve jetojnë në Maqedoni dhe Maqedonia ka një mërgatë të madhe shqiptare, jemi dakorduar që t’i autorizojmë institucionet tona të kulturës në mënyrë që të kemi aktivitete dhe data të përbashkëta”, tha ministri I Kulturës i Kosovës, Kujtim Gashi.
“Është nder për mua që gjatë takimit me Ministrinë patëm mendime të përbashkëta lidhur me atë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë mjaft të mira dhe kanë mundësi akoma të zhvillohen, veçmas në sferën e kulturës”, u shpreh ministri Ademi.
Ministrat u dakorduan që në muajin shtator të nënshkruajnë kalendarin e përbashkët kulturor mes dy vendeve, një hap ky që do të zgjerohet më tej edhe me krijimin e një kalendari trepalësh mes Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë.