Përfaqësuesja e futbollit të Maqedonisë së Veriut sheh veten para inkuadrimit direkt në finale të Ligës së Kombeve ku do të diskutohet kualifikimi në Kampionatin Europian të vitit 2020, pasi Kosova rrezikon pezullim nga instancat ndërkombëtare të futbollit. Dueli gjysmëfinal Maqedoni e Veriut-Kosovë i paraparë për datën 26 mars të vitit të ardhshëm mund të mos zhvillohet, me Maqedoninë e Veriut që do të përfitonte nga përzierja e politikës së Kosovës në institucionin udhëheqës të futbollit në vendin fqinjë. Në Kosovë është krijuar situatë kaotike rreth Federatës së futbollit të Kosovës, pasi opozita rrëzimin nga “froni” të presidentit Agim Ademi e kërkon përmes ndihmës së politikës, diçka që shkon krejtësisht kundër me rekomandimet e UEFA-së dhe FIFA-s. Dy institucionet udhëheqëse të futbollit ndërkombëtarë përmes statuteve urdhërojnë prerë që politika të qëndrojë larg futbollit, ndërsa në Kosovë pikërisht përmes kësaj rruge të ndaluar kërkohen ndryshimet me ndihmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Ministria e Administratës Publike. UEFA dhe FIFA janë të njoftuar me situatën dhe duke u bazuar në qëndrimet e tyre në këtë drejtim mendohet të jenë të pamëshirshme. Sipas disa burimeve Kosova rrezikon pezullim prej 2 deri në 5 vite, pasi persona të lidhur me politikën krijojnë amulli, duke tentuar të ndërhyjnë direkt në Federatën e futbollit të Kosovës. Duke vëzhguar situatën në distancë, nëse “duart e politikës” vazhdojnë të futen më thellë në futboll, pritet ndërhyrja e UEFA-së dhe FIFA-s me masa ndëshkuese ndaj futbollit kosovar, e me këtë rast duke qenë se i lidh interesi i përballjes mes veti, nga një pezullim eventual i Kosovës fituesja më e madhe do të ishte Maqedonia e Veriut, që do të merrte “falas” biletën për finalen e Ligës së Kombeve ku përballë fituesit të duelit Gjeorgji-Bjellorusi do të kërkohej kualifikimi në EURO 2020.