Maqedonia do ta nënshkruajë protokollin për inkuadrim në NATO më 6 shkurt

NATO Secretary General Jens Stoltenberg

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kumtoi se më 6 shkurt do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të dokumentit për inkuadrim të Maqedonisë në Aleancë.

Marketing

“Më 6 shkurt do të shënojmë historinë: Aleatët e NATO-s do ta nënshkruajnë protokollin për inkuadrim me Maqedoninë e Veriut së bashku me MPJ Dimitrov”, shkroi Stoletenberg në Tuiter.
Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës në Maqedoni, e pastaj edhe në Greqi, është larguar pengesa e fundit për anëtarësimin e vendit në Aleancën Veriatlantike, gati pas 11 viteve pas bllokadës greke në Samitin e Bukureshtit, në prill të vitit 2008.

Ceremonia e nënshkrimit do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel, në praninë e ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. 29 ambasadorët e vendeve anëtare do ta nënshkruajnë protokollin, pas çka Maqedonia do të mund të marrë pjesë në të gjitha “formatet kyçe” të Këshillit veriatlantik.

Siç sqaroi ambasadori slloven pranë NATO-s, Jelko Kacin, në një intervistë për MIA-n, Maqedonia nuk do të mund të marrë pjesë në mbledhjet ku shkëmbehen informacionet më të ndjeshme, derisa nuk bëhet anëtare e plotfuqishme dhe me këtë e arrin njohurinë e nevojshme për udhëheqje me atë lloj të informacioneve të ndjeshme.

Pas nënshkrimit të protokollit për inkuadrim, secili vend anëtar i NATO-s do të duhet ta ratifikojë anëtarësimin e Maqedonisë, procedurë e cila mund të zgjasë maksimum dy vite, edhe pse pritjet janë se do të duhej të përfundojë në fillim të vitit 2020, ndoshta edhe në fund të këtij viti. Vendet si Kanadaja dhe Belgjika njohin procedura edhe më të gjata dhe më komplekse të ratifikimit. Sipas burimeve diplomatike në Greqi, pritet që Athina ta ratifikojë anëtarësimin e Maqedonisë në fund të javës në vijimi, më 8 shkurt.

Pasi që të gjitha 29 vendet anëtare të Aleancës do ta ratifikojnë protokollin për inkuadrim, do të ngritët flamuri i Maqedonisë së bashku me ata të të gjithë vendeve anëtare para selisë së Aleancës në Bruksel, ndërsa përfaqësia e përhershme diplomatike e vendit do të duhej të bartet gjithashtu në zyrat e reja së bashku me anëtaret e tjera.

Marketing