Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Damjan Mançevski dhe ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës, Besim Beçaj sot realizuan takim pune, në të cilën kanë biseduar për aktivitetet e ardhshme të përbashkëta nga fusha e zhvillimit të shoqërisë informatike, inovacioneve dhe ndërmarrësisë.
“Temat për të cilat biseduam janë përparimi i bashkëpunimit tonë rajonal para se gjithash në pjesën e aspekteve konkrete të cilat do të ndikojnë në jetën e qytetarëve. Atë që të gjithë e dini është se kemi përparim serioz dhe plan konkret për heqje të çmimeve për roaming mes qytetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe drejt Bashkimit Evropian përfundimisht me vitin 2021”, ka theksuar Mançevski, kumtoi MSHIA.
Ka thënë se, projekti i dytë për të cilin kanë biseduar është propozimi i tyre në Shkup të formohet qendër rajonale për trajnim të sajber sigurisë për të gjithë të punësuarit në institucionet publike nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për çka, siç ka thënë, kemi mbështetje të tërësishme nga miqtë tanë të Kosovës.
“MSHIA e pranoi iniciativën e ministrit Beçaj për formimin e resë rajonale (cloud) për vendet Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria ku mund të bëhet hulumtim dhe zhvillim dhe një lloj i bashkëpunimit mes qendrave teknologjike shkencore dhe parqet në nivel rajonal”, ka theksuar Mançevski.
Beçaj ka informuar për takimin e fundit me Eurokomisaren për ekonomi digjitale dhe shoqëri Maria Gabriel, ku është biseduar për fondet e hapura evropiane të cilat Maqedonia Veriore dhe Kosova mund t’i shfrytëzojnë.
“Me komisaren Gabriel kemi biseduar për shkathtësitë digjitale, për renë për hulumtim dhe zhvillim rajonal, si dhe për shumë fusha tjera nga interesi ynë, përgatitemi drejt marrjes së fondeve evropiane dhe shpresoj se në atë drejtim do të mund të realizojmë bashkëpunim të mëtutjeshëm me ministrin e Republikës të Maqedonisë së Veriut.
Gjithashtu, dua edhe njëherë të shpreh përkrahje për projektet të cilat janë në plan, duke e përfshirë edhe qendrën rajonale për sajber siguri”, ka thënë Beçaj.
Në mbledhjen e punës është folur edhe për bashkëpunimin e mundshëm në fushën e zhvillimit të qyteteve të mençura dhe ishte përfunduar se të dy shtetet munden së bashku të formojnë treg të mirë për zhvillim të shkathtësive digjitale, ngritjen e konkurrencës dhe shfrytëzimin e resurseve njerëzore.