Maqedonia e Veriut në pritje të protokolleve për anëtarësim në NATO

Drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë së Veriut besojnë se së shpejti do të përfundojë ratifikimi i protokollit për anëtarësim të vendit në NATO nga të gjitha shtetet anëtare të Aleancës, që shihet si inkurajim pas dështimit për marrjen e datës së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marketing

“Obligimi ynë si qeveri është që të sigurojmë apo rrumbullakojnë procesin e anëtarësimit të vendit në NATO. Është mëse e qartë se kjo do ndodhë, është çështje kohe kur protokolli do të miratohet nga të gjitha vendet anëtare. NATO-ja na jep siguri dhe stabilitet, të sigurojmë të ardhmen për të rinjtë. Nuk do të kemi më ato dilemat më të cilat gjeneratat më parë janë përballur. S’ka dilema se Maqedonia e Veriut ka të ardhme të sigurt dhe me perspektivë”, ka deklaruar zëvendëskryeministrja Radmilla Sheqerinska, e cila drejton edhe dikasterin e Mbrojtjes.

Vlerësimet janë dhënë pas ratifikimit të protokollit nga Senati Amerikan duke e çuar në 25 numrin e shteteve që kanë mbyllur këtë proces.

Ambasadorja amerikane, Kate Byrnes ka shkruar në Twitter se ratifikimi i protokollit është rezultat i punës së mundimshme dhe përkushtimit që të investohet tek e ardhmja. Me padurim pres vazhdimin e zhvillimit dhe forcimit të partneritetit mes dy vendeve tona”.

Protokolli ishte mbështetur nga 91 senatorë, ndërsa 2 ishin kundër.

Ndërkohë, kanë mbetur edhe katër të tjera që Maqedonia e Veriut përfundimisht të jenë anëtarë e plotfuqishme e Aleancës Veriatlantike. Drejtuesit e institucionet nuk shohim pengesa që këtë ta bëjnë edhe Holanda, Islanda, Franca e cila ka kaluar fazën e parë dhe Spanja ku procedura mund të zgjatet për shkak të zgjedhjeve që pritet të mbahen atje në dhjetor.