Maqedonia fillon bisedimet për anëtarësim në NATO

Koordinatori kombëtar për NATO, Stevo Pendarovski, sot ka realizuar takim me drejtorin për Evropë dhe Partneritet Global në NATO, James Mackey, me të cilin kanë biseduar për përgatitjet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO.

Marketing

Pendarovski tha se sot kanë filluar bisedimet me NATO-n për anëtarësim, pas vendimit në Samitin e Brukselit, për ta ftuar Maqedoninë

“Sot me delegacionin e NATO-s do të realizojmë takime me institucione të ndryshme në vend. Dhe do të diskutojmë tema të ndryshme, përveç atyre politike. Maqedonia është e gatshme për procese të mëdha. Zbatimi i marrëveshjes me Greqinë, mbetet kushti për anëtarësim në NATO dhe BE. Për këtë jemi përgatitur me vite dhe dekada”, tha mes tjerash Pendarovski.

Ndërsa drejtori për Evropë dhe Partneritet Global në NATO, James Mackey, tha se kjo është mundësia historike që Maqedonia të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s.

“Mundësia historike për anëtarësim në NATO sapo ka filluar. Procesi përfshin bisedime serioze për qeveritë e dy vendeve. Procesi do të përfshijë bisedime politike dhe financiare, por edhe të sigurisë. Gjithashtu do të diskutojmë për reformat në vendin tuaj. Periudha e ardhshme do të jetë e rëndësishme, pasi do të bëhen përgatitjet e fundit që vendi juaj që bëhet anëtare e NATO-s. Kur do të përmbushen kushtet e caktuara, vendi juaj do të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s”, tha James Mackey.