Maqedonia mëton ta rrisë pagën minimale

Njohësit e çështjeve ekonomike në Maqedoni, subvencionimin e pagës minimale me mjete plotësuese që do të ndahen nga arka e shtetit e konsiderojnë si masë populliste.

Marketing

Ata theksojnë se për t’u bërë i ndjeshëm përmirësimi i standardit jetësor, duhet krijuar kushte për përmirësimin e gjendjes ekonomike e cila do të reflektohej vetëm nëse do të ketë rritje ekonomike, ndërkohë që për punëdhënësit subvencionet janë të mirëseardhura.

Këto komente vijnë pasi Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e saj të fundit, i ka dhënë vizë propozimit të Ministrisë së Punës dhe politikës sociale që të pësojë ndryshime ligji për rritjen e pagës minimale në bazë të cilit nëse punëdhënësi synon të rris pagën minimale e cila aktualisht është 12 mijë denarë (200 euro) shtesën nga kjo vlerë qeveria do ta subvencionojë me 30%.

Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë Muamed Hoxha, për Radion Evropa e Lirë sqaron se përmes këtij propozim-ligji synohet që të nxiten punëdhënësit, që të paguajnë paga me vlerë më të lartë.

“Në seancën e fundit të qeverisë, përkatësisht atë të së martës, morën dritë të gjelbër ndryshimet dhe plotësime që kanë të bëjnë me pagën minimale, dhe të njëjtat me procedurë të përshpejtuar janë dërguar në parlament për tu miratuar. Presim që këto ndryshime të marrin dritë jeshile edhe nga shumica parlamentare dhe menjëherë të hyjnë në fuqi që punëdhënësit brenda pak muajve të mund të shfrytëzojnë benefitet nga shteti për rritjen e pagës minimale” thotë Hoxha.

Ndërkohë edhe Ivan Peshev, zëvendëskryetar i Sindikatës për Ndërtimtari, për Radion Evropa e Lirë thotë se është më se e nevojshme që të motivohen në forma të ndryshme që punëdhënësit të rrisin pagat për punëtorët, sepse vetëm në këtë mënyrë shton ai, mund të ndalet hovi i largimit të krahut të punës nga Maqedonia.

“Masat e reja janë ë mira dhe pres që ata të paraqesin stimul për rritjen e pagave në përgjithësi të punëtorëve. Vitin e kaluar, një numër i madh i krahut të punës është larguar nga vendi. Paga minimale nuk arrin as së afërmi të plotësojë nevojat e një familjeje katër anëtarësh. Veçanërisht duhet të rriten pagat në ato vende pune që janë me rrezik të lartë” thotë Peshev.

Ai njëherësh thekson se për një jetë dinjitoze të punëtorëve, qeveria duhet të gjejë mekanizma që paga minimale të barazohet të paktën me gjysmën e shpenzimeve për shportën konsumuese për një familje katër anëtarësh.

“Paga minimale assesi nuk duhet të jetë nën 16 mijë denarë, përkatësisht dy paga që do të mund të hynin në një familje të mund plotësojnë harxhimet e shportës konsumuese e cila arri 33 mijë denarë (550 euro) në të kundërtën gjithnjë e më pak të rinjtë do të mund të shohin të ardhmen këtu, sepse atyre nuk u ofrohet një jetë dinjitoze” thotë Ivan Peshev nga Sindikata e Ndërtimtarisë.

Por, biznesmenët thonë se përderisa Maqedonia ka rritje më të ulët në rajon, vështirë se masat e qeverisë do të prodhojnë efekt pozitiv për rritjen e pagave përmes subvencioneve.

Ata druajnë se punëdhënësi do të duhet t’i largojë punëtorët në momentin që do të ndalen edhe subvencionet nga shteti.

Ekspertët e ekonomisë thonë se me vetë faktin që paga minimale në Maqedoni, e cila është 12 mijë denarë, edhe kundrejt subvencionimeve mbetet pothuajse tri herë më e ulët se shporta konsumuese e cila arrin vlerën prej 33 mijë denar për një familje katër anëtarësh, dëshmon standardin e ulët të punëtorëve në Maqedoni./REL/

Marketing