Maqedonia peng i nacionalizmit

Murat Aliu

Marketing

Si shumica e nocioneve në shkencat sociale, edhe nocioni i nacionalizmit paraqet një nocion përkufizimit i të cilit është kompelks. Teoricien të ndryshëm nacionalizimin e përkufizojnë në mënyra të ndryshme dhe i ngarkojnë kuptime të ndryshme. Një nga dilemat kryesore që ekziston në kuadër të debateve të shuma në mesin e studiuesve të nacionalizmit është ajo se i solli nacionalizmi botës gjëra pozitive apo negative. Për ta simplifikuar dilemën, a është mirë të jesh nacionalist apo jo?

Sigurisht që përgjigja e këtyre pyetjeve është e vështirë. Një premisë shumë e thjesht thotë se disa përgjigje më së mirë i jep koha. Pasi që fenomene të njëjta gjatë historisë janë konceptuar dhe kuptuar në mënyra të ndryshme. Që nga fillimi i shekullit 18 nacionalizmi paraqet ideologjinë dominate pothuajse për të gjithë shtetet e botës dhe për masat e gjëra nacionalizmi është parë si një diçka pozitive. Pasi që mendohet se kombi është një komunitet i natyrshëm dhe është pikërisht ideja e kombit që çliroj njerëzit nga robëritë e huaja.

Ndërkaq parë nga një këndvështrim më objektiv, edhe përskaj gjitha gjërave pozitive që mund t’i soll botës nacionalizmi, është e vështirë të thuhet që krijoj një botë më paqësore dhe më të lumtur. Sepse këto dy-tre shekujt e fundit në Evropë e nëpër botë pothuajse pjesa dërrmuese e luftërave, krimeve të luftërave dhe gjenocideve u bën në emër të nacionalizmit.

Ndërkaq Ballkani është njëra ndër ato hapësira e cila edhe në të kaluarën por edhe sot, për fat të keq ka përjetuar dhimbjet më të tmerrshme nga luftërat, masakrat dhe gjenocidet pikërisht të motivuara nga nacionalizmi dhe format ekstreme të tij siç mundë të jetë racizmi, nazizmi dhe fashizmi.

Duhet thënë që popujt Ballkanik nuk kanë qenë vetëm viktimë e ndonjë ideologjie nacionaliste të huaj. Ballkani si mendësi shoqërore shumë shpejt u shndërrua në një çerdhe dhe burim i pashtershëm të nacionalizmit. Prandaj nacionalizmi duket të jetë një sëmundje e pashërueshme për popujt Ballkanik, pasi që edhe sot e kësaj ditë shtet ballkanike nuk arrin assesi të gjejnë qetësinë e tyre nga problemet me motive nacionaliste. Thëne ndryshe, Ballkani u shndërrua ne hapësirën ku nacionalizmi u kuptua dhe aplikua ne formën me primitive te tij. Për të mos shkuar shumë larg historisë, mjafton të kujtojmë vetëm luftërat e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar për të arritur në përfundimin se të gjitha ato masakra, madje edhe gjenocidet ishin të motivuara nga nacionalizmi dhe racizmi si një formë ekstreme e nacionalizmit.

Кјо mënyrë primitive e të kuptuarit të nacionalizmit është ngushtë e lidhur me llojin e nacionalizmit apo modelin e kombit në Ballkan. Teoricieni Anthony Smith argumenton që nacionalizmi mundë të ndahet në nacionalizëm civil dhe etnik. Për dallim nga modeli civil i kombit ky solidariteti në mes anëtarëve të tij arrihet duke theksuar territorialitetin dhe lidhjen e tyre me shtetin në kuptimin e të drejtave dhe obligimeve të qytetarëve karshi shtetit, modeli etnik i kombit kryesisht bazohet në elementët kulturor siç janë gjuha, mitet, historia, kujtesa kolektive etj. Duke u bazuar në këtë ndarje, sipas Smith karakteristik kryesore e nacionalizmit etnik është natyra e tij irredentiste dhe antagonistike. Pasi që ky lloj nacionalizmi meqenëse legjitimitetin e tij e kërkon në të drejtat historike dhe kulturore të popujve shpesh herë shkakton probleme në mes dy a më shumë popujve që pretendojnë të njëjtën të drejtë historike apo trashëgimi kulturore.

Ky lloj modeli të krijimit të kombit ose thënë ndryshe pretendimet e dy ose më shumë popujve ndaj të njëjtës trashëgimi kulturore, historike dhe ndaj territoreve të njëjta ka shkaktuar pothuajse të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet popujve të Ballkanit duke filluar nga shekulli 19 atëherë kur lindi nacionalizmi deri në ditët e sodit. Zënkat me motive nacionaliste duket janë një mallkim i përhershëm i popujve ballkanik. Pasi që temat me motive nacionaliste mbajnë peng zhvillimin ekonomik, kulturor dhe qytetërimor të Ballkanit.

Maqedonia: peng i nacionalizmit

Që nga gjysma e dytë e shekullit 19, veçmas pas Kongresit të Berlinit të vitit 1878 Maqedonia do të shndërrohet në një arenë ku do të përplasen interesat dhe politikat irredentiste dhe nacionaliste të shteteve ballkanike, Bullgarisë, Greqisë dhe Serbisë. Që të tri këto shtete duke u bazuar në të drejtën historike do të pretendojnë pronësinë mbi rajonin e Maqedonisë. Kjo qasje e tyre ndaj territorit të Maqedonisë do të sjellë masakra dhe vrasje masive ndërmjet shteteve në fjalë, por mbi të gjitha nga kjo mendësi kolonialiste do të pësojnë njerëzit e pafajshëm pa dallim etnie dhe religjioni. Sigurisht që pasoja më dramatike e kësaj qasjeje irredentiste dhe mentalitetit nacionalist të shteteve të mësipërme do të jetë mohimi i kombit dhe identitetit maqedonas.

Në vitin 1944 Maqedonia u shpall shtet autonom në kuadër të Federatës Jugosllave. Por kjo nuk do të thoshte se konfliktet me sfond nacionalist morën fund. Edhe pas vitit 1994, vendet fqinje vazhduan të mohojnë ekzistencën e kombit dhe shtetësisë maqedonase. Ndërkohë në planin e brendshëm doli në dritë problemi shqiptar. Përkundër faktit se në periudhën komuniste nën ndikimin e parimit të vllazwrim-bashkimit, sipërfaqësisht dukej se përfunduan mosmarrëveshjet etnike, në realitet shqiptarët nuk u njohën kurrë si kategori etnike e barabartë me popujt e tjerë të kësaj federate. Qasjа përjashtuese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, e në veçanti të Maqedonisë sigurisht burimin e saj e kishte tek nacionalizmi të popujve dominant.

Përplasjet ndërmjet nacionalizmit maqedonas dhe atij shqiptar do të shpërfaqen pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë. Pas vitit 1991, shqiptarët ishin të pakënaqur me statusin e tyre juridiko-politik, veçanërisht me kushtetutën e vitit 1991, e cila sipas tyre është diskriminuese dhe përjashtuese. Si rezultat, ata shtruan kërkesa për më shumë të drejta politike, kulturore dhe ekonomike, gjë që shkakton rezistencë në elitat politike maqedonase.

Si rezultat i një antagonizmi të fuqishëm ndërmjet nacionalizmit maqedonas dhe atij shqiptar që vazhdoj gjatë gjithë viteve 90-ta dhe si rezultat i konfliktit të armatosur të vitit 2001 më në fund u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Marrëveshja Kornizë e Ohrit kishte dy qëllime thelbësor: realizimin e të drejtave politike, ekonomike dhe kulturore të shqiptarëve dhe kështu duke siguruar lojalitetin e shqiptarëve ndaj shtetit të Maqedonisë dhe së dyti ruajtur karakterin unitar të shtetit pajtimin njëherë e përgjithmonë ndërmjet popullit maqedonas dhe atij shqiptar.

Ku jemi sot!
Parë nga një këndvështrim i përgjithshëm Marrëveshja e Ohrit në të vërtetë solli një qetësi dhe stabilitet në vend sa i përket marrëdhënieve ndëretnike. Ajo dukshëm kontribuoj në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në vend. Por nga ana tjetër ajo, për fat të keq, kurrë nuk e arriti qëllimin e saj të dytë: pajtimin e dy komuniteteve, pra maqedonasve dhe shqiptarëve dhe krijimin e një shoqërie të integruar, ku dallimet etnike do të ishin të parëndësishme.

23 vite pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje Maqedonia akoma është një shtet i ndarë në çdo aspekt. Maqedonasit dhe shqiptarët jetojnë në dy realitete krejtësisht të ndryshme. Në këtë aspekt Marrëveshja e Ohrit dhe ne si shoqëri nuk arritëm të krijoj një shoqëri të vërtetë multi-kulturore e cila komunikon ne mes veti dhe ka mirëkuptim për të drejtat kolektive të njeri-tjertir. Qytetet, lagjet, shkollat, universitete hapësirat sociale pothuajse janë të ndara me kufij faktik dhe simbolik.

Nacionalizmi dhe temat etnike akoma sot mbisundojnë diskursin politik e shoqërorë. Në imagjinatën e nacionalizmit maqedonas shqiptarët akoma janë një element i huaj që rrezikon ekzistencën e kombit dhe shtetit maqedonas. Ndërkaq ndër shqiptarët shteti akoma përjetohet si një aparat i dhunës që gjeneron diskriminimin ndaj tyre. Kjo paraqet edhe arsyen pse mungon një lojalitet më të theksuar të shqiptarëve ndaj shtetit dhe simboleve të tij.

Arsyet e kësaj të vërtetë të hidhur mundë të jenë të shumta. Por është një fakt që ndasitë ndërmjet dy grupeve etnikë në vend, janë stimuluar nga retorika nacionaliste e politikës. Nacionalizmi ashtu si në të kaluarën, ashtu sot paraqet një insturment efektiv për keqpërdorim politik.

Edhe në vitin 2024 asgjë nuk ka ndryshuar
Fitorja e thellë e VMRO DPMNE-së në zgjedhjet e 8 Majit dhe rikthimi i saj në pushtet pak a shumë arsyetojnë shqetësimet e shumë kujt për acarim të serishëm të marrëdhënieve ndëretnike në vend, pas një periudhe relativisht të qetë të qeverisjes LSDM-BDI (2017-2024).

Ndonëse është herët për të sjellë konkluzione përfundimtare, është më se e qartë që gjuha nacionaliste po rikthehet fuqishëm në skenën politike në vend. Tek votuesit e VMRO DPMNE-së dhe qarqet tjera nacionaliste ekziston nacionaliste një ndjenjë triumfalizmi që mishërohet në shprehjen “ta kthejmë shtetin pronarit të vërtetë.”

Qasja paternaliste e VMRO DPMNE-së në qeveri ndaj koalicionit VLEN, rihapja e disa çështje me karakter etnik siç është mbajtja e flamurit shqiptar nëpër zyrat e zyrtarëve, refuzimi i aplikimit të dy gjuhësisë nëpër institucionet që udhëhiqen nga funksionar të VMRO-së dhe së fundmi iniciativa e Gjykatës Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për gjuhën janë vetëm disa janë indikacione të rëndësishme që paralajmërojë se çështjet etnike edhe gjatë këtij mandati qeveritar do të jetë në qendër të diskursit politik

Nga ana tjetër nuk mungon as gjuha nacionaliste nga aktor të ndryshëm politik shqiptar. Spekulohet se Bashkimi Demokratik për Integrim është duke përgatitur një dokument që parasheh njëfarë federalizimi të Maqedonisë, diçka që nuk është e nevojshme për qytetarët e vendit. Këto nisma nuk janë gjë tjetër veçse një akt populist për pikë të lira politike.

Maqedonisë i duhet një marrëveshje e re
Jo vetëm Maqedonia, por shumë vende të Evropës dhe botës sot përballem me problemin e mosmarrëveshjeve ndërmjet grupeve etnike të motivuara nga ndjenja nacionaliste. Në këtë kontekst duket e vështirë të gjendet një formulë për zgjidhje të shpejtë dhe përfundimtare të këtyre konflikteve.

Përmbyllja e konflikteve ndëretnike në Maqedoni sigurisht që nuk do të ndodh me parulla të tilla si “ta kthejmë shtetin pronarëve të vërtetë” apo me propozime për “federalizim” të shtetit. Gjuha e tillë dhe iniciativa të tilla vetëm se thellojnë dallimet dhe urrejtjen ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve.

Ajo që Maqedonisë i duhet tani është një marrëveshje e re ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Një marrëveshje e re, e pashkruar sipas së cilës këto dy komunitete do të pajtohen që në emër të zhvillimit ekonomik, mirëqenies sociale, ngritjes së nivelit të arsimit, shëndetësisë, pra në emër të së ardhmesh më të mirë për të gjithë, t’i lënë anash parasë gjithash gjuhën nacionaliste dhe kërkesat me karakter etnik. Maqedonasit dhe shqiptarët duhet njëherë e përgjithmonë të pranojnë dhe respektojnë ekzistencën e tjetri si kolektivitet etnik, kulturor dhe historik dhe politik

Kjo në shikim të parë duket një klishe dhe frazë naive. Dhe parë nga ky aspekt varetë duket si e tillë. Sepse arritja e kësaj kushtimisht thënë “marrëveshjeje” as është e lehtë as shpejtë e realizueshme. Por nga ana tjetër duhet parashtruar pyetja cila është alternativa apo zgjidhja tjetër? Alternativa tjetër është të vazhdojmë ashtu si deri më sot.

Pra, një shtet ose shoqëri e cila është në konflikt të vazhdueshëm ndërmjet veti, një shtet ndër më të korruptuarit dhe më të varfëritë në Evropë. Sepse zhvillimi ekonomik dhe i gjithanshëm i Maqedonisë pa asnjë dyshim është peng i diskursit nacionalist që nga ndjek nga fillimi deri më sot. Shoqëria jonë pikërisht duke u ngufat me tema me karakter etnik nuk ka arritur të diskutoj dhe rrjedhimisht të zgjidh pothuajse asnjë çështje me rëndësi për qytetarët.

Ndërkaq rruga e vetme për tu çliruar nga ky sindorm ballkanik i konflikteve permanente ndërmjet grupeve etnike është duket se është integrimi i Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Jo se duhet të jemi naiv e të besojmë që integrimi në BE brenda natës do ti zgjidh problemet e Maqedonisë, por megjithatë duket si e vetmja rrugë që njëherë e përgjithmonë ti zgjidhim problemet me karakter etnik./Respublika

Marketing