Maqedonia po tërheq edhe bizneset shqiptare

Maqedonia u rendit e para në rajon dhe e dhjeta në botë për klimën e të bërit biznes në raportin e fundit të Bankës Botërore “Doing Business 2019”. Ky certifikimin e ka bërë vendin fqinj të suksesshëm në këtë dekadë për thithjen e investimeve të huaja.

Marketing

Shumë kompani të huaja, që fillimisht kanë pasur interes të zhvillojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, kanë zgjedhur më pas Maqedoninë për shkak të lehtësive dhe taksave të ulëta. Por dy vitet e fundit, edhe bizneset shqiptare kanë parë me interes të investojnë në Maqedoni, sidomos në linjat e prodhimit. Kompania Sagen, në shtator të këtij viti, nisi investimin në Maqedoni për ndërtimin e një fabrike që do të prodhojë ilaçe. Sipas të dhënave nga projekti, atje do të prodhohen tretje infuzive dhe ilaçe gjenerike, pjesa më e madhe e të cilave do të jenë për eksport. Projekti i kompanisë shqiptare në Maqedoni është 20 milionë euro dhe synon të punësojë rreth 300 persona.

Grupi më i madh në Shqipëri, Balfin, njoftoi se do të investojë 100 milionë euro këtë vit, në një projekt që kushton gjithsej rreth 180 milionë euro, në zhvillimin e një zone shumëfunksionale në periferi të Shkupit në Maqedoni. Kompania Agna Group gjithashtu ka lajmëruar për zhvillimin e një linje prodhimi për biskotat në Maqedoni, e cila është projektuar të jetë më e madhja në rajon.

Maqedonia, sipas raportit të Bankës Botërorë të “Doing Business 2019”, renditet në të 10 kriteret kryesore shumë para Shqipërisë. Maqedonia u rendit e 13 në botë për lejet e ndërtimit, ndërsa Shqipëria në vendin e 151-të në botë. Maqedonia u rendit në vendit e 57 për aksesin në energji, Shqipëria në vendin e 140-të. Në lehtësitë e pagesës së taksave, Shqipëria u rendit e 122-ta e në botë, ndërsa Maqedonia e 31 në botë.
Barra fiskale në Maqedoni është më e ulëta në rajon dhe në Shqipëri më e larta.

Sipërmarrjet shqiptare paguajnë në total taksa dhe kontribute që janë sa 37.3% e fitimeve të tyre, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore “Të bësh biznes 2019”. Ky nivel është më i larti në rajon edhe në krahasim me Serbinë, me nivele taksash të ngjashme me ne. Bizneset serbe paguajnë taksa e kontribute sa 36.6% të fitimeve. Maqedonia është shteti me barrën më të ulët të taksave për bizneset, me vetëm 13.3% të fitimeve (bizneset në Maqedoni paguajnë vetëm tatimfitimin dhe taksat bashkiake). Më pas renditet Kosova, që e ka këtë tregues 15.2%, Mali i Zi 22% dhe Bosnja me 23.7%.