Maqedonia pret ekstradim, ndërsa Gruevski azil

Gruevski ka kërkuar azil politik në përfaqësinë hungareze jashtë Maqedonisë, kumtuan dhe autoritetet hungareze, të cilat hodhën poshtë çfarëdo lloj involvimi në ikjen e tij.

Marketing

Shefi i Kabinetit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban nuk zbuloi në cilin vend Gruevski e ka parashtruar kërkesën dhe si ka arritur në Shërbimin për emigracion dhe azil në Budapest ku i ka parashtruar dokumentet dhe është dëgjuar nga nëpunësit. Ai deklaroi se Hungaria nuk ka marrë kërkesë zyrtare nga Maqedonia për ekstradim të Gruevskit, por nëse merr kërkesë të tillë, rreth saj do të veprohet në pajtim me ligjet.

Në Maqedoni, ndërkaq, po përgatitet kërkesa me dokumentacion voluminoz për ekstradimin e Gruevskit, që sipas zëdhënësit qeveritar Mile Boshnjakovski, do t’i parashtrohet autoriteteve hungareze në ditët në vijim.

“Ministria e Drejtësisë nga gjykatat kompetente e grumbullon dokumentacionin e plotë në raport me rastin. Ai do të përkthehet dhe do t’iu parashtrohet organeve kompetente hungareze, përkatësisht Minsitrisë së Drejtësisë të Hungarisë. Në dokumentacion, mes tjerash do të ketë edhe arsyetim përse Nikolla Gruevski duhet të ekstradohet në Maqedoni. Bëhet fjalë për dokumentacion voluminoz, rreth 400 faqe, por pa dallim të numrit të faqeve, kërkesa do t’i parashtrohet zyrtarisht Hungarisë gjatë këtyre ditëve”, tha Boshnjakovski në konferencën për shtyp në Qeveri.

Paralelisht me këtë, po zbatohen edhe dy procedura në MPB me qëllim që të konstatohet mënyra në të cilën Gruevski ka ikur nga Maqedonia. Sektori i kontrollit të brendshëm zbaton procedurë për involvim të mundshëm të nëpunësve policorë se e kanë ndihmuar, ndërkaq plotësisht Sektori për punë të brendshme Shkup e konfirmon mënyrën e ikjes, si dhe personat e mundshëm të jashtëm të cilët e kanë ndihmuar.

Pas një sërë kumtimesh jozyrtare në mediume rreth rutës së lëvizjes së Gruevskit, Sektori për kufij dhe emigracion pranë Policisë shtetërore shqiptare mbrëmë kumtoi se ish-kryeministri i Maqedonisë ka dalë nga Shqipëria me datën 11 të këtij muaji në orën 19:11 përmes vendkalimit Hani i Hotit-Muriqan, në kufirin shqiptar-malazez si udhëtar në automobil me targa CD1013A, pronë e ambasadës sëp Hungarisë në Tiranë.
Policia shqiptare, në kumtesën e së cilës nuk kishte informatë përmes cilit vendkalim Gruevski ka hyrë në territorin shqiptar, theksoi edhe se në ditën kur Gruevski ka qenë në territorin e Shqipërisë nuk ka ekzistuar kurfarë fletë-arresti nga Maqedonia apo Interpoli.

Pasoi edhe kumtesa nga Ministria malazeze e Punëve të Brendshme, gjithashtu me konfirmimin se Gruevski ka hyrë dhe ka dalë nga Mali i Zi me datën 11 të këtij muaji, si dhe se policia malazeze në këtë rast “në tërësi i ka respektuar procedurat ligjore”.

Marketing