Marco Rubio merr udhëheqjen e USAID

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Në një deklaratë, Rubio tha se shumë funksione të USAID do të vazhdojnë dhe se do të jenë pjesë e politikës së jashtme amerikane.

Marketing

“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, deklaroi kryediplomati amerikan gjatë vizitës në El Salvador.

Agjencia ndërkombëtare e ndihmës ka qenë kohët e fundit përballë përpjekjeve të Donald Trump dhe Elon Musk për të reformuar qeverinë federale. Trump dhe aleatët e tij kanë thënë se agjencia, e krijuar nga Kongresi si një organ i pavarur, është haptazi partizane. Demokratët e kanë hedhur poshtë këtë pohim dhe thonë se Trump nuk ka autoritetin për të çmontuar agjencinë.

Organizatat humanitare ndërkombëtare kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike. Në krye të nismës për mbylljen e USAID është Elon Musk, i cili pretendon se administrata mund t’i ulë shpenzimet për 1 trilion dollarë, dhe gjithë lëvizjen e tij e përshkruan si betejë kundër korrupsionit.

USAID është donatori më i madh në botë i ndihmës humanitare. Në vitin fiskal 2023, SHBA ofroi 72 miliardë dollarë ndihmë në mbarë botën, në programe që mbulonin shërbimet shëndetësore të grave, aksesin në ujë të pastër, trajtimet për SIDA, sigurinë e energjisë dhe luftimin e korrupsionit.