Marina Vjollca rikthehet në ekran, zbulohet programi që do të moderojë

Kampionati Europian është shumë afër dhe të gjithë tifozët e futbollit kudo ndodhen mezi presin. Shqiptarët do të kenë mundësinë t’i ndjekin ndeshjet çdo mbrëmje në televizionin Klan dhe sigurisht veç tyre një program i dedikuar këtij Kampionati do të marrë vëmendjen e të gjithëve, ku analizat, diskutimet dhe parashikimet nuk do të mungojnë.

Marketing

Po kush do të jetë në krye të këtij programi sportiv, është një pyetje që ngjall kërshëri? Revista “Bordo” mëson se ky emision sportiv i është besuar moderatores së njohur Marina Vjollcës, duke shënuar një rikthim të saj në ekran që pas mbylljes së programit të humorit vitin e kaluar “Klanifornia”.

Programi do të jetë çdo mbrëmje nga 14 qershori deri më 14 korrik. Por ky nuk është vetëm një rikthim në ekran për Marinën, por edhe rikthim në një program sportiv, pasi vite më parë Marina ka qenë pjesë e emisionit “Procesit sportiv” krah Ed Manushit, një format në të cilin spikaste dhe i shkonte shumë për shtat.

Terreni i gazetareve sportive në media shqiptare ka qenë gjithmonë i tejmbushur me vajza të bukura dhe që dinë të tërheqin vëmendjen, por mes tyre gjithmonë Marina ka bërë, dhe jemi të bindur që sërish do të bëjë diferencën, pasi ka natyrën e saj tejet të veçantë dhe unike, që vlerësohet e pëlqehet shumë nga publiku.

Në këtë Kampionat Europian është kualifikuar edhe Kombëtarja Shqiptare dhe padyshim emocionet janë të mëdha për të gjithë ne.