Marrëveshja e Ohrit në preambulë: Fitore e BDI-së dhe e shqiptarëve

Marrëveshja e Ohrit është zgjidhje për Maqedoninë multietnike dhe duhet të saktësohet në Preambulë, tha ditë më parë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani në pjesëmarrjen në televizionin Telma.

Marketing

“Në Marrëveshjen e Prespës është paraparë saktësimi i KAÇKM-së me definimin e Manifestit si dokument kryesor. Ne vlerësojmë se gjatë definimit të dokumenteve konstituive të shtetit është logjike ndjekja e hapave, që nuk është kërkesë vetëm e shqiptarëve por edhe e të gjitha partive politike në shtet, pasi Marrëveshja e Ohrit është futur në Kushtetutë me amendamente, vetëm se nuk është përmendur si dokument. Është logjike që të ketë një tërësi të elementeve konstituive të shtetit kronologjikisht të jenë Republika e Krushevës, Manifesti i KAÇKM-së, 8 Shtatori dhe Marrëveshja e Ohrit”, tha Osmani.

Ai shtoi se të gjithë që i ka kontaktuar, deputetë, elitë politike, ekspertë, askush nuk ka thënë se Marrëveshja e Ohrit nuk është inkluzive.

Atë që e paralajmëroi Osmani dhe BDI, tani e njëjta bëhet realitet, pra Marrëveshja e Ohrit futet në Preambulën e Kushtetutës. Kryeministri Zoran Zaev tha sot se vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me Manifestin e mbledhjes së parë të KAÇKM-së dhe i shtohet Marrëveshja e Ohrit që të jetë element konstituiv i shtetit.

Kjo siç shtoi Zaev, është pjesë konstituive e Kushtetutës së Maqedonisë dhe këtu vetëm i shtohet formulimi, “Marrëveshja e Ohrit dhe kjo është korrekte karshi bashkësive të tjera etnike në Maqedoni”.

“MO është e ndërtuar konform Kushtetutës së RM-së dhe argumentimi në këtë debat me deputetë dhe ne Qeveri ka qenë se kur hapet Kushtetuta është e radhës të përfshihet edhe MO-ja si element konstituiv pasi edhe ajo është pjesë e Kushtetutës dhe në fund zgjodhëm se duhet të mbetet dhe i gjithë implikimi është në vetë Kushtetutën”, ka thënë kryeministri Zaev.

Marketing