Në periudhën e finalizimit të Marrëveshjes së Prespës, vendi ka nevojë për një politikëbërje më vigjilente dhe deklarata të matura, thotë për TVM2 ish ambasadori Nano Ruzhin.
Sipas tij pushteti duhet të jetë i matur në deklarata përshkak të keqpërdorimeve eventuale nga pala greke dhe me këtë të prodhohet efekt negativ.
Pakënaqësitë vijnë nga partitë e vogla që janë kundër marrëveshjes, por ne duhet të përqendrohemi tek qëndrimi zyrtar, sugjeron, Ruzhin.
“Për fat të keq deklaratat e tilla i shfrytëzojnë kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës sepse mundohen të gjejnë arsyen më të vogël për të shpërqendruar opinionin në drejtim negativ. Pavarësisht së cka thuhet, bëhet fjalë për keqkuptime epizodiale dhe mendoj se të gjithë e dimë se Marrëveshja është para fazës së fundit dhe ne duhet të kemi parasysh vetëm qëndrimin zyrtar. Ne duhet të mendojmë për efektin pozitiv”, u shpreh ish ambasadori Nano Ruzhin.
Edhe përkundër mospajtimeve, shumica parlamentare në Greqi është siguruar për ti thënë PO marrëveshjes thotë Ruzhin.
Ai madje vlerëson se probleme të përafërta kemi edhe tek ne, por është i sigurt se me 15 janar do të përfundojë me sukses çështja në parlamentin tonë.
“Unë jam optimist dhe jam i bindur se Marrëveshja e Prespës do të shëndërrohet në ndryshime kushtetuese, të miratuara në Republikën e Maqedonisë dhe më pas e njëjta marrëveshje në parlamentin grek”, theksoi Ruzhin.
Zërat që kundërshtuan Marrëveshjen e Prespës në palën greke u shtuan pas deklaratës së kryeministrit Zaev se në Greqi ka maqedonas dhe mund të mësohet gjuha maqedonase.
Por burimet qeveritare greke kanë bërë të ditur se amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë janë në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Prespës.
Sipas tyre, kontestues ka qenë paragrafi 3 i nenit 49, më saktësisht pjesa në të cilën thuhet se shteti kujdeset për “popullin maqedonas i cili jeton në vendet fqinje”.
Me versionin e ri, në vend të “popullit maqedonas” shkruan “diaspora” e cila nuk është kontestuese për Greqinë.