Marrëveshja për fqinjësi të mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, nuk ka lëvizur aspak, që nga nënshkrimi i saj në më 2 gusht të vitit 2017. Ajo duhej të zgjidhte kontestet mes dy vendeve, por Shkupi dhe Sofja nuk po arrijnë të harmonizojnë qëndrimet që kanë të bëjnë me historinë deri në vitin 1944, prejardhjen e heroit të dy vendeve, Goce Dellçev, rolin e VMRO-së (organizata e brendshme revolucionare maqedonase) dhe Kuvendin e Ilindenit, që kishte shpallur pavarësinë e shtetit të parë maqedonas, më 2 gusht të vitit 1903.
Veç kësaj, Bullgaria konteston edhe gjuhën maqedonase duke e thënë se bëhet fjalë për gjuhë të formuar në vitin 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe gjuhës serbe. Bisedimet janë ndërprerë në dhjetor për shkak të zgjedhjeve të parakohshme dhe sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup, ka bërë të ditur se një grup pune i përbërë nga ekspertë të dy vendeve, nga shtatori mund të rifillojë punën për kapërcimin e dallimeve. Nga pala maqedonase thonë se argumentet janë në anën e saj, por këtë e pohon edhe pala bullgare.
Në mbledhjen e 25 marsit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Këshillit Evropian, kur u vendos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Sofja ka arritur të përfshijë edhe një dokument, përmes të cilit, veç tjerash i kërkon Shkupit “që të ndalojë çdo mbështetje për organizatat që deklarojnë veten pakicë maqedonase në Bullgari”.
Bullgaria gjithashtu kërkon që në të gjitha dokumentet e BE-së dhe kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të përcaktohet si gjuha e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Malinka Ristevska, drejtuese e Institutit për Politikë Evropiane, thotë se negociatat do të jenë të vështira, duke marrë parasysh qëndrimin e ngurtë të palës bullgare, por me rëndësi, sipas saj, është që pala maqedonase të tregojë konstruktivitet, por pa hequr dorë nga interesat kombëtare.
“Synimi i palës tonë në këto bisedime duhet të jetë ruajtja e interesave kombëtare, por edhe të tregoj konstruktivitet në proces. Në asnjë rast nuk duhet të humben pozitat që kemi në këtë proces si faktor i rëndësishëm për ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë”, thotë Ristevska, duke theksuar gjithashtu se kërkesat e palës bullgare apo refuzimi që të njohë gjuhën dhe të kaluarën personaliteteve të rëndësishme historike, është jashtë Marrëveshjes së arritur për fqinjësi të mirë.
“Ajo që për momentin po kërkon Bullgaria është jashtë marrëveshjes mes dy shteteve. Ajo është anëtare e BE-së dhe kërkesat e saj nuk shihen edhe me sy të mirë, por gjithsesi se ajo ka ndikimin e saj. Prandaj, është shumë me rëndësi që qeveria jonë të vazhdojë të punojë me BE-në gjatë kryesimit gjerman (të presidencës së BE-së), që të kapërcehet edhe kjo pengesë”, thotë Malinka Ristevska, nga Instituti për Politikë Evropiane.
Historiani Skender Asani, thotë se komisioni mes dy shteteve nuk duhej të niste punën me çështjet më të ndjeshme, siç është edhe prejardhja e Goce Dellçevit.
“Unë mendoj se kjo qasje do të jetë pengesë për procesin e mëtutjeshëm. Unë preferoj të krijohet një vizion krejtësisht i ri, pra këto dy komisione do të duhej të merreshin me çështjet që i bashkojnë, i afrojnë këto dy shtete dhe pastaj të merren edhe me çështjet më të ndjeshme”, thotë Asani duke theksuar nevojën që në këtë komision të përfshihen edhe shqiptarët.