Në Komisionin parlamentar për Politikë të Jashtme, unanimisht kaloi Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për hapjen e vendkalimit të përbashkët kufitar, Llojan-Miratoc. Siç është shprehur nënkryetari i Komisionit për mirëmbajtje, demarkim dhe hapjen e vendkalimeve kufitare të RMV me fqinjët dhe drejtori i Drejtorisë për Çështje Konsullore dhe të Drejtës Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Luftim Spahiu, me iniciativën e Sekretariatit për Çështje Evropiane dhe me pëlqimin e palës serbe, u nënshkrua marrëveshja më 16 dhjetor të vitit 2019 dhe është planifikuar të implementohet në dy faza. Vendkalimi kufitar Llojan-Miratoc do të ndihmojë në lehtësimin e komunikimit midis popullatës në të dy anët e kufirit. “Dëshira e dy qeverive është që faza e parë e komunikacionit lokal të realizohet në fillim të vitit 2020. Kontejnerët do të vendosen në territorin serb, ku do të strehohen autoritetet (MPB dhe Doganat) të dy vendeve. Në këtë drejtim, do të jetë e nevojshme të sigurohet infrastrukturë adekuate, internet, ose rehabilitim i rrugës ekzistuese. Paralelisht me këtë do të jetë edhe projekti për lehtësimin e kalimit për komunikacionin ndërkombëtar. Për të gjetur tokën ku do të ndërtohet infrastruktura që do të përdoret nga të dy palët. Duke filluar me këtë procedurë fillojnë rregulloret e përcaktuara me ligj – tjetërsimi i tokës, marrja e lejeve të duhura, zgjedhja e kompanisë që do të bëjë punën… Duke marrë parasysh përvojën me vendkalimin kufitar Belanovc – Stançiq, kjo mund të zgjasë pak më shumë, në fakt 3 deri 5 vjet”, u shpreh Spahiu. Ndërtimi i objekteve me rreth 2,4 milionë euro do ta financojë Norvegjia, me koordinim nga Sekretariati për Çështje Evropiane, ndërsa shteti do të mobilizojë objektet veçmë e ndërtuara. Kryetari i Komisionit Antonio Milloshovski theksoi se pas një kohe të gjatë dhe kërkese nga Maqedonia e Veriut deri tek Serbia përfundimisht po bëhet funksionalizimi i hapjes së këtij vendkalimi kufitar. “Përveç popullatës lokale, hapja e vendkalimit kufitar mund të ketë ndikim pozitiv edhe për ekonominë lokale të rajonit. Në këtë kuptim do të bëhet mirë derisa Komisioni dhe Kuvendi sa ma parë të ratifikojë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes dhe e njëjta të realizohet”, u shpreh Milloshoski. Komisioni gjithashtu ratifikoi unanimisht Marrëveshjen midis qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Francës, që ka të bëjë me shkollat e mesme me klasa dygjuhëshe të frankofonisë.
Natasha Deskoska nga Drejtoria për Çështje Konsullore dhe të Drejtën Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme deklaroi se Marrëveshja midis dy vendeve u nënshkrua në Shkup në muajin shkurt të vitit 2019 dhe duhet të lejojë zhvillimin e mëtutjeshëm dhe vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit dygjuhësh, si dhe promovimin e cilësisë të mësimdhënies, duke përdorur përvojat evropiane. “Me marrëveshjen parashikohet publikim i rregullt të veprimtarive të klasave dygjuhëshe të frankofonisë, projekteve bilaterale, përmirësim, raportimin e pjesëmarrjes në takime, konferenca, simpoziume, konkurset e bursave, si në shtypin ditor ashtu edhe në faqen e internetit të shkollave, si dhe në faqen e MASH-it dhe shpërndarja e duhur e informacionit palëve të interesuara”, u shpreh Deskoska. Anëtarët e Komisionit mbështesin Marrëveshjen dhe janë të qëndrimit se ky lloj bashkëpunimi duhet të shtrihet edhe në shtetet e tjera anëtare të BE-së, si dhe në prezantimin e mësimit të gjuhëve të tjera zyrtare të BE-së në shkolla që në moshë më të re.