Marrëveshjet nuk po respektohen, prodhuesit e duhanit protestë para qeverisë

Prodhuesit e duhanit serisht në protestë para qeverisë. Ata vlerësojnë se këtë vit çmimet e blerjes janë më të ulta e kërkojnë që qeveria të mbajë premtimin që dha në takimet paraprake me ta. Prodhuesit e duhanit kanë frikë se kjo situatë do të vazhdojë deri më 28 shkurt, kur blerjet zyrtarisht mbarojnë e duhani do tu mbetet i magazinuar e do të prishet. Ata kanë vërejtje edhe për ligjin e ri që lejon importin eduhanit e thonë se me këtë duhanit të tyre i bie vlera.
“Na dhanë premtime por në terren ndodhi dicka krejt tjetër. Nga ajo për të cilën u dakorduam e që menduam se do të ndodhte, që do të na ndihmojnë, u bë më keq. Cmimet u ulën edhe më shumë dhe blerjet u zvogëluan. Duhanin na e blenë si kategori e tretë apo e katërt , sikur ta kemi sjellë për ta hedhur e jo me cilësinë që vërtetë është”…
“Ministria me ligjin e ri ne na dëmtoi. Nuk na dha prioritet e të shihnim përmirësim gjatë blerjes, por na dëmtoi. Zaev na premtoi që nuk do të ketë kategori të 4 për duhanin, por qeveria ju dha të drejtë blerësve të sjellin duhan nga jashtë dhe ju lejoi me ligjin e ri e kjo na frikëson sepse nuk e dimë nëse te kjo sasi do e blejnë duhanin tonë”….  
“Të njejtën golgotë e përjetojmë edhe ne në Kavadar. U mbajtën dy takime e në të tretin ata vetë u dakorduan të ulin cmimin e blerjes.”, thanë prodhuesit e duhanit.
Teksa prodhuesit këmbëngulin se duhani është cilësor por nuk po u paguhet si i tillë, blerësit thonë se të korrat sivjet ishin më të ulta e cilësia më e dobët. Të korrat e këtij viti janë rreth 23 mijë tonë, nga të cilat gati 7 mijë tonë duhan janë shitur deri tani. Prodhuesit e duhanit marrin 30 milion euro në vit në subvencione. Pagesa e këtyre fondeve realizohet menjëherë pas përfundimit të blerjes.