Nga Alessia Marcocci
Femra të frikësuara, meshkuj guximtarë. Për një kohë gjinia femërore, ka mbajtur përcaktorin “e dobët”, në krahasim me mbiemrin “i fortë” për mashkullin, duke nënkuptuar gjithashtu një prirje të ulët për të rrezikuar nga ana e grave krahasuar me burrat, si në karrierë, ashtu edhe në jetën private.
Një faktor që nxirret në pah nga studime të ndryshme, dhe që disa e lidhin gjithashtu edhe me diferencat në paga, në pabarazinë e punës, që ende ekzistojnë mes meshkujve dhe femrave. Por sa mund ta konsiderojmë këtë prirje të lindur, dhe sa është produkt i edukimit dhe kulturës?
A janë këto dallime gjinore, të bazuara në një fakt biologjik, apo pasojë e një modeli kulturor, të stereotipit që është vështirë të vdesë?
Nga se është shkaktuar ky hendek gjinor? Një studim i fundit, i botuar në revistën “Pnas”, tregon se janë në fakt kultura dhe arsimimi, ato që formojnë prirjen ndaj rrezikut dhe se të paktën tek fëmijët, është e mundur të ndikohen këto qëndrime.
Meshkuj dhe femra nga kultura të ndryshme
Elen M.Liu dhe Sharon Xuejing Zuo, respektivisht studiuese nga Universiteti i Hjustonit në SHBA dhe Universitetit Fudan në Shangai, Kinë, kanë studiuar evolucionin e kësaj sjelljeje tek rreth 500 nxënës – nga klasat fillore tek të mesme- në një shkolle në provincën Junan në Kinë, që i përket komuniteteve të ndryshme:një matriarkal (Mosuo) dhe tjetri patriarkal (Han).
Për shembull, në mesin e komunitetit Mosuo, janë gratë ato që kanë rol udhëheqës në politikë, në zgjedhjet ekonomike dhe në edukimin e fëmijëve. Për të vëzhguar sjelljen e djemve, hulumtueset i përfshinë djemtë në një lotari me një zgjedhje mes dy opsioneve, dhe me shanse të ndryshme për të fituar:nga çmimet identike për të dy zgjedhjet, tek alternativa “çmim ose asnjë çmim”.
Eksperimentet u organizuan në një mënyrë të tillë, që fëmijët më pak të prirur ndaj rrezikut, të zgjidhnin opsionin më të sigurt (çmim ekuivalent për secilën zgjedhje), ndërsa ata që prireshin të rrezikonin më shumë, e provuan fatin me anë të lotarisë për të maksimizuar fitimet e tyre, madje duke pranuar mundësinë e të mos-fituarit ndonjë gjë. Shpërblimet për para u zvogëluan, dhe ishin brenda buxhetit të një fëmijë. Ndaj me paratë e fituara, ata mund të blinin fletore ose akullore.
Prirja për të rrezikuar ndikohet nga shumica
Në fillim, studiuesit vëzhguan fëmijët e komunitetit Mosuo. Aty femrat ishin më të prirura ndaj rrezikut, sesa meshkujt. Përkundrazi, në mesin e fëmijëve Han, ishin meshkujt ishin më guximtarë sesa femrat. Por me kalimin e kohës, dallimet midis vajzave Mosuo, më të prirura ndaj veprimeve që bartin rreziqe, dhe femrave të komunitetit Han që ishin më të kujdesshme, u zvogëluan.
Duke qenë së bashku, shkruajnë Liu dhe Zuo, qëndrimet e vajzave:të parat u bënë më pak e guximshme, të dytat më shumë. Nuk është e qartë, e pranojnë studiueset, sesa mbeten këto ndryshime me kalimin e kohës.
“Pas kalimit të kohës në një mjedis kryesisht të komunitetit Han – thuhet ndër të tjera në artikullin studimor – fëmijët Mosuo, kanë adoptuar preferencat e rrezikut të shumicës. Kjo tregon në fakt se qëndrimi që ne kemi ndaj rrezikut, është i formësuar nga kultura ku bëjmë pjesë, dhe mund të ndryshojë sipas kontekstit shoqëror”.
GalileoNet – Bota.al