Oda Tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka kërkuar takim urgjent me Qeverinë pas paralajmërimit për vendosje të marzhës për 10% për rreth 100 grupe të produkteve ushqimore dhe jo ushqimore. Oda vlerëson se me këtë vendim, do të vihet në pikëpyetje mbijetesa e kompanive dhe do të detyrohen të largojnë punëtorë, të ristrukturojnë punën e madje mund të çojë deri te mbyllja e marketeve. Oda e Tregtarëve i bëri thirrje Qeverisë që të gjejë fajtorin e vërtetë, që sipas tyre janë distributorët dhe prodhuesit dhe masat të jenë ndaj tyre dhe jo ndaj marketeve.
“Dëmet do të jenë të mëdha, sepse vihet në pikëpyetje mbijetesa e 86 kompanive tregtare, me 790 shitore dhe 4700 të punësuar. Mbijetesa jonë, është ngarkuar edhe me të dhëna të tjera si për shembull çmimi i energjisë elektrike nga janari 2024 deri në janar 2025 është rritur për 72%, për distribuim për 25%. Pagat në vitin 2024 në krahasim me vitin 2023 janë rritur për 20% e nga marsi do të ketë rritje tjetër, e harxhimet për paga lëvizin nga 12 deri 15%. Me 10% bruto marzhë nuk mund të mbulojmë harxhimet operative të cilat lëvizin rreth 15-20%”, thonë nga Oda e Tregtarëve.
Marzhën nuk e mbështet as LSDM. Kryetari i kësaj partie Venko Filipçe, vlerëson se masa është e vonuar dhe nuk do të ketë asnjë efekt.
“Ne bëmë një analizë dhe e pamë se një pjesë e marketeve tanimë i kanë rritur çmimet për afro 10% dhe më pas e mirëpritën atë masë. Kështu ishte edhe në valën e parë kur u paralajmëruan masat ndaj marketeve, ata u përgatitën dhe pastaj nuk kishte asnjë efekt. Konsiderojmë se nuk do të ketë asnjë efekt që do ta ndjejnë qytetarët”, deklaroi Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Nga LSDM prezantuan një pako masash ekonomike e shumica prej tyre kanë të bëjnë pikërisht me marketet. Nga LSDM propozojnë që TVSH-ja për energjinë elektrike të ulet nga 18 në 5%. Të ulet TVSH-ja edhe për produktet ushqimore, si dhe ngrirje të marzhave. Ngrirje të çmimeve të disa produkteve në afat prej tre muajve. Fiksim i marzhave për ushqimet bazë. Zbatim të ligjit për tregtinë jokorrekte. Ulje e çmimit të kartonit të gjelbër për vetura, si dhe rritje e pagave në sektorin privat por duke mos rritur edhe kontributet. /Alsat.mk