MASA PËR ULJEN E NDOTJES. Biletë e gjelbër apo transport publik falas?

Udhëtimi paraqet mundësi të shkëlqyer për njeriun. Por, mënyra sesi ne udhëtojmë ka ndikim të drejtpërdrejt në klimën, për këtë arsye ne duhet të marrim përgjegjësi. Nëse ne nuk bëjmë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si udhëtojmë, është e pamundur të arrihen objektivat e Marrëveshjes së Parisit për Ndryshimin e Klimës. Nuk duhet të udhëtojmë më pak, duhet të udhëtojmë ndryshe, kështu thuhet në uebfaqen e organizatës evropiane “Green Tickets”. Koncepti i biletës së gjelbër është të promovoj opsione të transportit rrugor që mundësojnë nivel më të ulët të ndotjes që të ruhet ambienti jetësor. Disa shtete dhe qytete biletat jeshile i përdorin vetëm kur ndotja e ajrit është shumë e lartë. Kjo është masë e cila i drejton qytetarët të përdorin transportin publik si mjet për të zvogëluar ndotjen e ajrit. Së fundmi kryeqyteti i Bullgarisë, Sofje prezantoi biletën jeshile me anë të së cilës qytetarët për gjysmë euro mund të udhëtojnë gjatë tërë ditës aq herë sa dëshirojnë dhe të përdorin të gjitha mjetet e transportit publik siç është metro, autobus,minibusi dhe tramvaji. Kjo masë u prezantua pasi dy stacione matëse treguan se ndotja ishte mbi mesataren e lejuar të qytetit, pra në ditët kur përqendrimet mesatare të grimcave PM ishin mbi 200 mikrogramë për metër kub.

Marketing

Pyetja është se cili është mendimi i qytetit të Shkupit lidhje ne këtë ide, a mendojmë të prezantojmë biletën jeshile?
Partia e Gjelbër, DOM, që nga viti 2014 ka propozuar prezantimin e një bilete jeshile në Shkup për një çmim prej 60 denarë, e cili mund të përdoret për të gjitha destinacionet e qytetit dhe periferisë. Ata argumentuan se përdorimi biletës së gjelbër mund të motivojë qytetarët në vend që të përdorin makina, të zhvendosen drejt transportit publik dhe kështu të kontribuojnë në uljen e ndotjes. “Duke pasur parasysh që ndotja e ajrit është më e larta në dimër, ne e konsiderojmë të domosdoshme prezantimin e një bilete jeshile në periudhën nga muaji nëntor deri në shkurt. Me biletën jeshile, qytetarët mund të përdorin shërbimet e transportit publik në të gjitha linjat e qytetit dhe periferi aq herë sa dëshirojnë brenda 24 orëve. Gjatë tejkalimit të pragut të ndotjes së ajrit të grimcave PM10, DOM propozon të ketë transport publik falas. Ndërkaq rëndësi të madhe ka edhe përmirësimi i kushteve të transportit publik, blerja e autobusëve ekologjik dhe futja e linjave të reja”, tha Maja Moraçanin nga DOM.

Mirëpo për aktivistët e ekologjisë vetëm transporti publik dhe kufizimi i qarkullimit të veturave nuk është zgjidhje. Siç potencoi edhe Nevena Georgievska nga Inciativa O2 për gazetën KOHA duhet të merren edhe masa tjera siç është mënyra se si ngrohemi, infrastruktura… duke përfshirë edhe transportin. “Besoj se pas çdo mase e cila merret nga institucione përkatëse duhet të bëhen para dhe pas implementimit të asaj analiza sesi ka ndikuar ajo dhe çfarë rezultate ka dhënë. Besoj se futja e biletës së gjelbër duhet të jetë për një kohë më afatgjate, por përveç kësaj njëkohësisht të merren edhe masa të tjera. Bashkërisht të gjitha masat besoj se do të japin rezultate të mira”, tha Georgievska.

Në Shkup, gjatë periudhës së ndotjes së madhe, në vend të një bilete jeshile, aktivizohet transport publik falas. Por për të zbatuar këtë masë, është e nevojshme që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të deklarojë gjendje emergjente të ndotjes së ajrit. Nga 14 dhjetori u ndryshua Rregullorja për limitin e ndotjes së ajrit, pragu i alarmit PM10 u zvogëlua nga 188 mikrogramë për metër kub dhe tani qëndron në 175 mikrogramë për metër kub të përqendrimit mesatar gjatë dy ditëve radhazi. Qyteti i Shkupit thekson se ekuivalent i biletës së gjelbër në Sofje është transporti publik falas tek ne, gjatë nivelit të lart të ndotjes së ajrit. “Prej vitesh, Sofje, gjatë ditëve të ndotjes së lartë të ajrit prezanton të ashtuquajturën biletë jeshile si masë kundër ndotjes. Gjatë ditëve të ndotjes së lart në Shkup, transporti publik është pa pagesë”, thonë nga qyteti i Shkupit. (koha.mk)