Maqedonia e Veriut po përgatit terrenin për ardhjen e Papës Françesku më 7 maj, me nivelin më të lartë të sigurisë. Janë vendosur rregulla të rrepta lëvizjeje për qytetarët dhe për mediat. Si asnjëherë më parë, Shkupi do të duket krejtësisht ndryshe. Qeveria nuk e shpalli ditën e ardhjes së Papës ditë jo pune, por i kufizoi qytetarët në lëvizje, si me makinë ashtu edhe në këmbë.
Transporti publik do të jetë pa pagesë, përfshirë edhe treni. Prej 6 majit në ora 17 dhe gjatë gjithë ditës më 7 maj, parkingjet do të jenë pa pagesë, por organizatorët e ardhjes lusin qytetarët që të përdorin transport publik që të mos ngarkojnë komunikacionin dhe të mos vonohen për detyrimet e tyre.
Çdo qytetar që do të hyjë brenda rrypit të sigurisë që e ka krijuar ministria e brendshme, do të duhet të identifikohet me dokument personal dhe të kontrollohet nga pjesëtarët e policisë.
Në këtë rryp sigurie, qytetarët do të mund të kyçen nga nëntë hyrje. Qytetarët që do të duan të marrin pjesë në meshën e Papës në sheshin e qytetit, do të mund të hyjnë nga Gjykata Administrative, nga Hotel Meriot-i, nga kafiteria Trend, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, dhe ajo e Financave, nga Enti i Statistikave, nga Pellagonia, Porta Maqedonia dhe hyrja për në Qendrën Tregtare të Qytetit që të çon kah sheshi.
Qytetarët që do të marrin pjesë në meshë, nuk guxojnë të marrin me vete mjete shpërthyese, piroteknike, mjete që mund të lëndojnë dikë, ushqim dhe pije të vendosura në paketime metalike ose qelqi. Ka ndalesa edhe për një numër të madh llojesh të ombrellave dhe pijeve alkoolike, si dhe për pankarta dhe flamuj të mëdhej. Organizatorët e ardhjes së Papës u kanë rekomanduar qytetarëve që të marrin pallto për shi, në vend të ombrellave.
Derisa kalon Papa, nuk lejohet të hidhet asgjë, qoftë edhe lule. Ndërsa kur Papa mban meshën, nuk është e lejuar duartrokitja.
Qytetarët gjatë këtyre ditëve mund të marrin bileta falas për të ndjekur meshën në disa lokacione në Shkup. Në pikat e biletave do të ketë edhe persona të angazhuar për t’ua shpjeguar qytetarëve rregullat e sjelljes.