Federata e Futbollit të Maqedonisë, nga sot do të drejtohet nga Masar Omeragiq, i cili u zgjodh me vota unanime të delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFM-së , ku vetëm u konstatua dorëheqja e Muamed Sejdinit. Kreu i ri i FFM-së, në fjalimin e tij përpos ndryshimeve të reja, premtoi edhe zbatimin e sistemit “VAR” në Ligën e Parë Futbollistike nga sezoni i ardhshëm.
“Program dhe sistem maksimal dhe i plotë për promovimin e futbollit të të rinjve, seleksionëve të të rinjve, futbollit të femrave, organizatës së arbitrimit dhe atë të trajnerëve. Kampionat të rregullt, rikthimi i publikut në fushë dhe klube të forta. Zbatim i menjëhershëm i teknologjisë “VAR” në stadiume. Dhe më pas infrastruktura me tribuna, reflektor dhe fushat e gjelbra. Do të krijojmë një mjedis ku çdo lojtar, nga niveli bazë në atë profesional, të ketë qasje në fushat cilësore. Këtë synim do ta arrijmë bashkërisht me mbështetjen e UEFA-s dhe FIFA-s, me ndihmën e institucioneve shtetërore dhe të vetëqeverisjes lokale”, tha Masar Omeragiq, president i FFM-së.
Njeriu i parë i futbollit vendor, me miratimin e Këshillit Drejtues, ka vendosur që të caktojë Goran Pandevin, drejtor të ri sportiv të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Marjan Stojkoskin nënkryetar të ri të FFM-së. Ilija Najdoski dhe Agim Ibraimi u emëruan këshilltarë.
Ndërkohë ish kreu i FFM-së, Muamed Sejdini foli për sukseset e deritanishme dhe uroji pasardhësin e tij.
“Uroj që edhe në ardhmen të kemi suksese edhe më të mëdha që futbolli ynë të vazhdojë të jetë burim krenarie për të gjithë ne. Pasardhësit tim i uroj punë të mbarë dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij”, tha Muamed Sejdini, ish president i FFM-së.
Sejdini nga FFM-ja u largua pas rreth 7 vitesh. Para dorëheqjes së tij më 17 nëntor të këtij viti pati kritika të shumta për keqpërdorime. Akuza të shumta u bënë në drejtim të tij për privatizim të federatës, ndërsa u larguan edhe disa sponsorë, ndërsa projektet e UEFA-s që duhej të përfundonin sipas planit të paraparë për stadiume ndihmëse në qytete të ndryshme mbetën pezull./Alsat.mk