–Kemi biseduar me Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nuk ka asnjë rrezik nëse kontrollohen qytetarët nëse janë të vaksinuar ose jo, kështu e komentoi revoltën e disa qytetarëve për masat e reja kundër Covid-19, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe tha se përveç certifikatës për vaksinim, në objekte gastronomike dhe objekte të hotelerisë do të mund të futen edhe qytetarët që kanë kaluar sëmundjen e Covid-19, por vetëm në 45 diteët e para pas shërimit.
“Duke filluar nga e hëna, qytetarët, përveç certifikatës së vaksinimit, ose dëshmisë për marrjen e së paku një doze të vaksinës, për të hyrë në objektet hotelierike dhe vende të tjera që përfshinë masat e reja, qytetarët do të mund të përdorin hyjnë në këto objekte edhe me certifikata që kanë kaluar Covid-19, por vetëm në 45 ditët e para pas shërimit”, tha Filipçe.
“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kjo është mënyra për t’u zgjidhur problemi me pandeminë, kjo praktikohet jo vetëm tek ne, por gjithkund në vendet e zhvilluara”, tha Filipçe.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë për masat parandaluese për Covid-19, nga 16 gushti ndalohet puna e objekteve gastronomike në ambiente të mbyllura, ndërkaq në ambientet e hapura me kapacitet mbi 30 persona do të mund të pranohen vetëm personat e vaksinuar me së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Në çdo objekt gastronomik do të ketë person për mbajtjen e rendit që do të kontrollojë mysafirët për certifikata të vaksinimit kundër Covid-19, ndërsa objektet me kapacitete nën 30 persona nuk do të jenë të obliguar të kenë të angazhuar persona për mbajtjen e rendit.