Matura shtetërore/ Testatorët të revoltuar për shkak të mospagesës

Mësimdhënësit e arsimit të mesëm të angazhuar si testator në maturën shtetërore shprehen të revoltuar ndaj institucioneve përkatëse për mos pagesë të këtij angazhimi shtesë gjatë dy fundjavave. Sipas mësimdhënësve, shpërfillja e tillë humb vullnetin për të zbatuar këtë detyrë, madje në raste të caktuara edhe dorëheqje në ditën e realizimit të testimit.

Marketing

“Nga ana e ministrisë duhet të na jepen disa benefite, ose të kemi ditë të lirë ose të paguhemi për shkak që po e humbim një ditë sepse kemi familje, është ditë pushimi nuk është ditë pune. Duhet të na paguhen që të kemi pak më shumë vullnet, me më shumë dëshirë që të shkojmë ta realizojmë këtë punë. Falë që janë profesorët rezervë që zëvendësojnë që të mund të realizohet dhe të fillohet matura shtetërore se përndryshe shumica shikojnë të ikin pasi mendoj që nuk ja vlen sepse humb ditë kurse nga ana tjetër nuk kemi asgjë, as ditë të lirë por edhe nuk paguhemi”, deklaroi Xhihana Alidemi, profesoreshë.

Ndër të tjera, profesori Faruk Rexhepi tha se mungesa e transportit në fundjavë nga vendbanime më të largëta ka shkaktuar vonesë të mësimdhënësve në testim e madje mos prezencë të tyre.

“Profesorët ku punojnë nëpër vendet e punës brenda pesë ditëve që shkojnë në punë e kanë të organizuar disi transportin, tash obligohen të shkojnë në një shkollë tjetër edhe nuk kanë transport të shkojnë, ne e dimë që nuk na rezervojnë edhe transportin, nuk duhet bërë shpenzime mirëpo është si problem. Nga ana tjetër të obligon të shkosh, pagesë nuk ka, në shumë mënyra jemi të injoruar”, tha Faruk Rexhepi, profesor.

Biljana Mihajllovka, drejtore e QSHP-së tha se pjesëmarrja e mësimdhënësve në maturën shtetërore në rolin e testatorëve është obligim ligjor dhe kjo qëndron në ligjin për mësimdhënësit, mirëpo, siç shton ajo, kjo nuk nënkupton se testatorët nuk duhet paguar. Gjithashtu, ajo shtoi se QSHP-ja nuk ka mundësi ta bëj një pagesë të tillë. Në ligjin e ri për arsimin e mesëm ka një paragraf ku shkruhet që mësuesit që janë testator duhet të paguhen, por ai ligj nuk është miratuar.

“Apeloj drejtorët e shkollave të gjejnë mënyrë për ti shpërblyer mësimdhënësit sepse vërtet bëjnë përpjekje. Është e vërtet se paraqiten të shtunën dhe punojnë dy të shtuna si testatorë. Nëse kjo nuk është e mundur tani dhe duhet të presim ndryshimet ligjore atëherë sinqerisht I lutem mësimdhënësve që të funksionojë momenti human dhe pedagogjik tek ata që ta kryejnë punën në këtë sesion të provimeve dhe atë të muajit gusht. Pastaj, së bashku të diskutojmë për motivim më të mirë për mundin e tyre”, deklaroi Biljana Mihajllovska, QSHP.