PAOK-Aris nuk është kurrësesi një ndeshje dosido. Në Greqi, por jo vetëm, konsiderohet si një ndër 50 derbet më të zjarrta në futboll. Përballja mes dy ekipeve të urryera mes tyre në Selanik, ditën e mërkurë, mund të jetë edhe skena e parë për Mërgim Mavrajn, futbollistin e kombëtares.
Ende asnjë ndeshje zyrtare me Aris për mbrojtësin që u largua si lojtar i lirë nga Hamburgu, pas një eksperiencë që nisi mirë, por përfundoi si mos më keq. Trajneri i verdhezinjve, Paco Herrera, pritet ta aktivizojë titular 32-vjeçarin, që nuk luan një ndeshje zyrtare prej 17 shkurtit të këtij viti, në Bundesliga, në përballjen Hamburg-Leverkusen.
Në stadiumin “Tumbas” të Selanikut, shtëpia e PAOK-ut, pritet një atmosferë elektrizuese dhe euforike, por sigurisht që eksperienca e Mavrajt është aq e madhe saqë nuk do ta ketë të vështirë të menaxhojë presionin dhe tensionin.
Kuqeziu po stërvitet rregullisht me skuadrën greke, ndërsa hera e fundit që zbriti në fushë ishte një miqësore e dorës së tretë për Aris. Panuçi e aktivizoi me kombëtaren e Shqiëprisë në sfidën ndaj Izraelit, për Ligën e Kombeve, më 7 shtator, edhe pse vetëm për pak minuta.
Shansi i artë ka ardhur, tashmë është në dorën ose më saktë, këmbët e Mavrajt të tregojë se sa vlen, për t’u bërë edhe shtylla e Aris, aty ku i besuan, edhe pse mbeti pa ekip.