Kryeministrja britanike Theresa May, ka thënë se një votim mbi çështjen e marrëveshjes së Brexit, do të ndodhë përfundimisht javën e ardhshme.
Këto deklarata ajo i dha megjithëse një sondazh i ri tregon se shumica e britanikëve do të votonin për të qëndruar në Bashkimin Europian nëse do të kishte një referendum të dytë.
“Ne do të jemi në një territor të paeksploruar nëse kjo marrëveshje nuk do të kalojë”, paralajmëroi ajo në një intervistë me BBC.
Udhëheqësja britanike tha se që kur votimi u tërhoq në minutën e fundit në dhjetor, ajo është duke u konsultuar me krerët e Bashkimit Europian dhe kolegët britanikë për të marrë garanci të reja në tre fusha kyçe, detajet e të cilave do të zbulohen në ditët në vijim.
Këto tre fusha përfshijnë masa specifike për Irlandën e Veriut, një rol më të madh për parlamentin në negociatat në fazën e ardhshme të marrëdhënieve të ardhshme Britani e Madhe –Bashkim Europian dhe siguri të mëtejshme nga BE për të adresuar shqetësimet mbi ndihmesën irlandeze.