Dhjetëra kultivues të hortikulturës u mblodhën sot në parkun e kryeqytetit për të marr pjesë në Festivalin e Luleve. Me moton: “Shkupi lulëzon” në mënyrë kreative u prezantuan shumëllojshmëritë e bimëve, të cilat qytetarët i fotografonin ose i blinin. Kësaj dite me diell më së shumti iu gëzuan fëmijët, të cilët pikturonin lule. Nga Ndërmarrja Publike “Parqet dhe Gjelbërime” thonë se kjo ngjarje ka një mesazh.
Siç e shihni edhe ju, qëllimi parimor i këtij Festivali është sensibilizimi i fëmijëve dhe të gjithë të tjerëve, të cilët jetojnë në Qytetin e Shkupit, që ne si Ndërmarrje jemi të interesuar që të kemi një ambient të shëndosh për jetesë në qytetin tonë”-tha Ardijan Muça, drejtor i N.P. “Parqet dhe Gjelbërime”.
Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, tha se qytetarët duhet t’i kushtojnë sa më tepër kujdes bimëve, duke i mbjell edhe në ambientet e tyre ku jetojnë. Ai tha se sa më shumë gjelbërim të ketë aq më pak do ta kemi edhe ajrin e ndotur.
Festivali i luleve organizohet për të gjashtën herë me radhë dhe në të janë duke marrë pjesë 30 prodhues. Ky eveniment do të vazhdoj edhe nesër në Parkun qendror në Shkup.