Kylian Mbappe ka folur për herë të parë në lidhje me Real Madridin.
Mbappe sipas lajmeve që qarkullonin së fundmi në Spanjë ishte shumë pranë transferimit drejt ‘Santiago Bernabeu’.
Por, të shtunën përpara ndeshjes ndaj Metz, ai njoftoi se ka rinovuar kontratën e tij me ekipin parisien.
Pas këtij kumtimi francezi ka folur për herë të parë për Real Madridin.
Ai fillimisht u tregua falënderues për interesimin e ‘Mbretërve’ dhe presidentit të tyre, duke thënë që ishte një privilegj që është kërkuar nga ata.
“Do të doja të falënderoja Real Madridin dhe Florentino Perezin. Tani e kuptoj zhgënjimin e tyre.
Unë me të vërtetë e kuptoj nderin dhe privilegjin të kërkohem nga një institucion si Real Madridi”, tha fillimisht francezi, përcjell lajmi.net.
Tutje, ai tha se do të përkrahë Realin në finalen e Ligës së Kampionëve që do ta zhvillojnë ndaj Liverpoolit.
“Do të jem mbështetësi i parë i Real Madridit për finalen e Ligës së Kampionëve në Paris, shtëpia ime”, ishin fjalët e tij.
Mbappe gjithashtu tha se është i bindur që do të rritet si lojtar edhe te klubi parisien.
“Jam i bindur se në PSG mund të vazhdoj të rritem në një klub që i jep vetes të gjitha mjetet për të arritur majat. Jam shumë i lumtur që mund të vazhdoj të evoluoj në Francë dhe kjo më jep mundësinë të ndjek ëndrrat e mia”, përfundoi lojtari.
Kjo ishte hera e dytë që Kylian ka refuzuar t`i bashkohet Real Madridit, pasi herë e parë ishte në vitin 2017 kur nga Monaco kaloi te PSG.