Mbërrijnë mbi gjysmë milioni vaksina Pfizer në Kosovë

Në Kosovë kanë mbërritur ditën e sotme 556.920 doza të vaksinës Pfizer kundër koronavirusit.

Marketing

“Prej këtij kontigjenti, 503 100 doza janë pjesë e donacionit të SHBA për Kosovën, të cilat në Kosovë kanë arritur përmes mekanizmit COVAX, ndërsa 53.820 doza të tjera janë nga marrëveshja bilaterale për vaksina kundër COVID-19 midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë Pfizer”, thuhet në njoftimin zyrtar të autoriteteve.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë me arritjen e këtyre vaksinave, imunizimi në masë kundër COVID-19 do të përshpejtohet “me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”.

Më 1 shtator, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pati njoftuar se 133,234 doza të vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit janë hequr nga përdorimi, për shkak të skadimit të afatit.

Vaksinat kanë qenë pjesë e një donacioni nga Norvegjia.