Mbi 100 të vdekur nga koronavirusi në Kinë

Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri në Kinë arriti në 106, ndërkohë që numri i rasteve të infektuara pothuajse u dyfishua brenda ditës.

Marketing

Autoritetet kineze thanë se numri total i njerëzve të prekur me këtë virus të hënën ishte 4,515, ndërsa një ditë më herët 2,835.

Kufizimet në udhëtime u ashpërsuan dhe veshja e maskave në publik tani është e detyrueshme në disa qytete.

Qyteti Vuhan, me 11 milionë banorë, është epiqendra e shpërthimit, por koronavirusi është shpërndarë në gjithë Kinën dhe jashtë saj.

Koronavirusi, që është një familje e gjerë e viruseve, shkakton infeksion të rëndë akut të frymëmarrjes dhe tash për tash nuk ka kurë ose vaksinë specifike për të.

Të hënën, Gjermania raportoi rastin e parë me këtë lloj koronavirusi.

Raste të tilla janë raportuar edhe në Francë, Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Kore të Jugut, Tajvan, Tajlandë, Malajzi e të tjera.

Zyrtarët kinezë besojnë se koronavirusi i ri e ka origjinën në një treg të ushqimeve të detit në Vuhan.

Marketing