Mbi 30.000 njerëz, apo rreth 1.5 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, zotërojnë monedha virtuale, të njohura ndryshe si kriptovaluta, tregojnë ekspertët makroekonomikë në këtë vend.
Por, mungesa e një kornize ligjore e bën të paqartë demografinë e investitorëve, shumën e kapitalit të investuar dhe destinacionin e qarkullimit të parave, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, Maqedonia e Veriut ka 1.836.713 banorë.
Eksperti i tregut të kriptovalutave, Darko Simunovski, thekson se të dhënat e vetme që ekzistojnë për këtë vend, janë ato që raportohen nga agjencitë ndërkombëtare, që merren me këto matje.
“Mund t’ju tregoj për demografinë e investitorëve në mbarë botën. Sipas hulumtimeve, shumica e investitorëve të kriptovalutave janë në grup-moshën 18 deri në 34 vjeç, me një dominim të madh të burrave, të cilët përbëjnë rreth 70 për qind të të gjithë investitorëve”, thotë Simunovski për Radion Evropa e Lirë.
Vetëm vitin e kaluar, shton ai, numri i përdoruesve në mbarë botën kaloi 430 milionë, që përfaqëson një rritje prej 170 milionë përdoruesish, krahasuar me një vit më parë.