Mbi 40 persona të personelit mjekësor të infektuar me koronavirus në Kumanovë 

Ka shkuar në 200 në total numri i të prekurve nga COVID-19, pasi që në 24 orët e fundit në Kumanovë janë regjistruar edhe 18 raste të reja me virusin Korona.

Marketing

Në mesin e tyre janë 6 infermiere, duke e çuar numrin e të prekurve të personelit mjekësor në 46.

“Kemi 18 pacientë pozitivë me COVID-19, prej tyre 6 punëtorë shëndetësorë, tjerët janë kontakte të infektuara më parë ose të personelit mjekësor ose kontakte tjera. Sot kemi kryer 51 teste sipas indikacioneve epidemiologjike, me “Termini im” nuk kemi pasi që sot nuk punohet.”,- deklaroi drejtori i QSHP – Kumanovë, Arif Latifi.

Në vendin e tij të punës në Repartin për Sëmundje Infektive dhe Parazitare në Spitalin e Kumanovës, takuam edhe dr. Aliriza Osmanin, i cili na sjell të dhëna për gjendjen por edhe rekomandime për mbrojtje nga Covid-19.

“Në repartin tonë i mbajmë të gjithë pacientët që e kanë gjendjen relativisht të mirë, kemi disa pa ndonjë simptamologji të rëndë, por që janë pozitivë me COVID-19. Në fillim kanë prezantuar ndonjë gërvishtje në fyt, kollitje të vogël, e që janë paraqitur në Repartin Infektiv 2, atje kanë kryer kontrollet dhe kanë marrë rezultatin dhe janë transferuar tek ne.”,- theksoi mjeku në Repartin për Sëmundje Infektive dhe Parazitare, Aliriza Osmani.

Osmani për TVM2, thotë se deri te numri i madh i të infektuarve me COVID-19 në qytetin e Kumanovës erdhi nga çasti kur qytetarët nuk respektuan distancën sociale, kur u grumbulluan në turma para marketeve.

“Ditën që u shpall karantina, e që qytetarët kishin diku kohë vetëm 5 orë për t’u furnizuar me gjëra ushqimore, e ku kishim gjithë atë tollovi nëpër markete, u pa të nesërmen rritja drastike e numrit. Shkupi kishte vetëm 11 raste, ndërsa në Kumanovë 25 raste të infektuar me COVID-19, pra moskujdesi dhe gjithë ajo turmë përnjëherë, dha rezultatin e vet.”,- theksoi Osmani.

Ai paralajmëron se më të rrezikuarit nga ky virus janë të gjithë ata persona që kanë probleme tjera shëndetësore si dhe të moshuarit.

“Globalisht flas, ka 25% prej të cilëve janë pozitivë me COVID-19 por që nuk e dinë, ata janë problematikë se e përcjellin sëmundjen më tepër, nuk kanë asnjë simptomë, kur t’i shohim me një anë janë edhe më të dobët se vetë viroza sezonale. Problemi qëndron tek më të moshuarit të cilët kanë sëmundje të shprehura sikurse sëmundja e sheqerit, tensioni, tek ata me probleme kardiake me stende të vendosura, me frymëmarrje të vështirësuar, pra posaçërisht tek këta persona me sëmundjet e lartpërmendura si dhe tek të moshuarit shfaqen probleme paksa më të mëdha, kurse tek ata që kanë imunitet më të forte, pa kurrfarë problemi do ta tejkalojnë këtë virus.”,- tha për TVM2 Osmani.

Osmani u apelon qytetarëve të kenë sa më shumë kujdes dhe t’i respektojnë rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, sidomos kujdes i madh dhe i shtuar të jetë ndaj të moshuarve, pasi për ata ky virus mund të jetë fatal, të ndalohen grumbullimet familjare, si dhe të respektohet distanca sociale.