Mbi 400 të arrestuar gjatë protestave masive në Rusi

Policia ruse ka arrestuar së paku 400 persona gjatë protestave mbarëkombëtare në thirrje të lirimit të liderit opozitar rus, Alexei Navalny, shëndeti i të cilit është rënduar gjatë mbajtjes në një burg në periferi të Moskës.

Me gjithë vendosjen e bllokadave nga policia, një turmë e madhe e qytetarëve është mbledhur nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit dhe në të paktën 160 qytete të tjera të vendit.

Turmat janë përplasur me forcat e policisë, që janë përpjekur t’i ndalin tubimet e cilësuara si të paligjshme.

Marketing

Mbështetësit e kritikut të Kremlinit kanë paralajmëruar se Navalny mund të vdes në burg dhe kërkojnë që atij t’i ofrohet kujdesi adekuat shëndetësor.

44-vjeçari Navalny ishte arrestuar në janar, menjëherë pas kthimit nga Gjermania, ku i ishte trajtuar shërimit nga helmimi me agjentin nervor, Noviçok.

Opozita ruse dhe Perëndimi kanë akuzuar Moskën për tentimvrasjen e tij ndërsa Rusia ka hedhur poshtë përfshirjen.