Mbi 5500 paraqitje për mbështetje të projekteve nga kultura në vitin 2020

Komisionet në Ministrinë e Kulturës po i shqyrtojnë aplikimet e arritura në konkurset për Programin vjetor për mbështetje të projekteve nga kultura të interesit nacional në vitin 2020. Kanë arritur mbi 5500 paraqitje në konkurset e shpallura vjetore, prej të cilave mbi një mijë janë paraqitje nga rreth 60 institucione nacionale të kulturës që funksionojnë nën kompetenca të Ministrisë së Kulturës.

Marketing

“Komisionet profesionale tashmë intensivisht po punojnë në shqyrtimin e aplikimeve të arritura në konkurset për Programin vjetor. Dëshiroj të potencoj se edhe këtë vit do të mbështeten projekte të qëndrueshme dhe mirë të argumentuara, të konceptuara me përmbajtje cilësore artistike, projekte përmes të cilave kultivohet dhe nxitet diversiteti kulturor, krijimtaria artistike dhe zhvillimi kulturor. Përndryshe, përqindja e pjesëmarrjes së Ministrisë së Kulturës në financimin e projekteve do të jetë në pajtim me mjetet e parapara për financim të projekteve të interesit nacional në Buxhetin për vitin 2020 dhe pikësimin e komisionit profesional nga sfera përkatëse”, deklaroi për MEDIAL-n Faton Fazliu, shef i Kabinetit të ministrit të Kulturës.

Shtoi se të gjithë pjesëmarrësit në konkurse do të njoftohen për rezultatet në pajtim me Ligjin për kulturë, ndërsa rezultatet nga konkurset do të publikohen në ueb-faqen e Ministrisë së Kulturës. Rezultatet e publikuara, të cilat priten në fund të muajit apo në fillim të shkurtit, do ë përmbajnë informata për bartësin e projektit, emrin e projektit dhe mjetet e miratuara për realizimin e tij.

Veprimtaritë në të cilat janë shpërndarë aplikimet që po shqyrtohen nga komisionet janë për letërsi dhe botim, veprimtari dramatike, veprimtari skenike-artistike dhe folklorike, arte vizuale, arkitekturë dhe dizajn, veprimtari interdisiplinare, veprimtari ndërkombëtare, eurointegrime, veprimtari për mbrojtjen e trashëgimisë së patundshme kulturore dhe të mira audiovizuale, veprimtari të muzeve dhe trashëgimi jomateriale kulturore dhe veprimtari bibliotekiste.

Buxheti i përgjithshëm për kulturë në vitin 2020 është 3,46 miliardë denarë, prej të cilave 980,1 milionë denarë janë për veprimtaritë nga kultura.