Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka publikuar Barometrin Kosovar për Studime të Sigurisë, “Perceptimet e qytetarëve për kërcënimet e reja të ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”, sipas të cilit mbi 70 për qind e qytetarëve e konsiderojnë ekstremizmin e dhunshëm si kërcënim për vendin, ndërsa vetëm 13 për qind e tyre e mohojnë se paraqet kërcënim.
Sa i përket angazhimit të institucioneve në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, vetëm 36 për qind e qytetarëve pajtohen me këtë konstatim, ndërsa 65 për qind prej tyre pohojnë se kthimi i luftëtarëve të huaj në Kosovë paraqet rrezik sigurie.
Hulumtuesja e QKSS-së, Vesa Kelmendi, tha se raporti i këtij barometri është i ndarë në tre pjesë dhe se ekstremizmi i dhunshëm po konsiderohet si rreziku i tretë në Kosovë pas krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Duke folur për raportin dhe matjet e perceptimit të qytetarëve, ajo tha se për dallim prej vitit të kaluar, ka rënie në 4 për qind sa i për ketë rrezikshmërisë së ekstremizmit të dhunshëm, pasi vitin e kaluar ka qenë rreth 74 për qind.
“Nga perceptimet në pyetjet se çka konsiderojnë qytetarët e Kosovës si rrezik, 70 për qind e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë ekstremizmin e dhunshëm si rrezik… Sa i përket ekstremizmit të dhunshëm etnikisht të motivuar shihet se 30 për qind e qytetarëve e shohin si rrezik dhe rreziku më i lartë ndaj qytetarëve të Kosovës mbetet ekstremizmi politikisht i motivuar… Respodentët shqiptarë e shohin ekstremizmin politikisht të motivuar më rrezik, ndërsa serbët e shohin më shumë ekstremizmin etnikisht të motivuar më rrezik… Për qasjen institucionale të ekstremizmit të dhunshëm, 52 për qind e qytetarëve në pyetjen se a pajtoheni që ka ende individ që po përhapin ide ekstremiste në Kosovë, ata pajtohen që ende ka individë që po përhapin ekstremizëm të dhunshëm në Kosovë. 36 për qind pajtohen se institucionet e Kosovës e kanë luftuar ekstremizmin e dhunshëm në Kosovë dhe 47 për qind e qytetarëve besojnë se situata është e njëjtë dhe asgjë nuk ka ndryshuar. Më shumë se 65 për qind e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë se luftëtarët huaj të kthyer nga zonat e konfliktit paraqesin rrezik për sigurinë e vendin”, tha ajo, raporton Ksp.
Kelmendi foli dhe për besimin e qytetarëve në shoqëri civile, ku tha 49 për qind e tyre i besojnë këtij, ndërsa 55 për qind i besojnë bashkësive fetare në Kosovë dhe se 29 për qind e qytetarëve besojnë në media.
“Besimi në Bashkësinë Islame është rreth 57 për qind, besimi ndaj Kishës Katolike është në 76 për qind, dhe besimi në Kishën Ortodokse është 43 për qind”, tha Kelmendi.
Përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Mimoza Hasani-Pllana bëri të ditur se kanë katër objektiva që e parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe se 70 për qind e punës së tyre pikërisht fokusohen te pjesa e parandalimit.
“Si rol kyç e shohim edukimin sidomos në fazën e parandalimit dhe arritjen e objektivit 2 që është parandalimi. Në katër objektivat që ka dokumenti strategjik, identifikimi, parandalimi, reagimi që dokument është i përshkruar si intervenim dhe ri-integrimi që ne si MASHT e njohim de-radikalizim ne kemi aktivitete në një numër të konsiderueshëm. Në identifikim kemi një aktivitet, po ashtu në parandalim i kemi 11 aktivitete, në reagim kemi dy, ndërsa në ri-integrim kemi një aktivitet, që do të thotë se rreth 70 për qind e punës sonë brenda këtij plani strategjik është e fokusuar te pjesa e parandalimit ku dhe numërojmë arritjet më të mëdha gjatë vitit 2018”, tha Hasani-Pllana.
Ndryshe, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë ka tre vjet që prezanton perceptimet e qytetarëve mbi ekstremizmin e dhunshëm.
http://www.qkss.org/sq/Raportet/Edicion-Special-i-BKS—Perceptimet-e-qytetarëve-për-kërcënimet-e-reja-të-ekstremizmit-të-dhunshëm-në-Kosovë–1196