Mbi 70 mijë persona erdhën në Kosovë në fundjavë

Mbi 70 mijë persona kanë hyrë në territorin e Kosovës, nga kufijtë tokësorë dhe ajrorë.

Gjatë fundjavës, mbi 70 mijë persona kanë hyrë në territorin e Kosovës, nga kufijtë tokësorë dhe ajrorë, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës.

Marketing

Sipas masave në fuqi, shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk kanë nevojë të paraqesin testin PCR për koronavirus dhe as të izolohen. Paraqitja e testit vlen vetëm për personat që nuk kanë vendbanim në Kosovë dhe për ata që vijnë nga shtetet me rrezik të lartë të përhapjes së koronavirusit, sipas klasifikimit që bën Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Megjithatë, institucionet e Kosovës i bëjnë thirrje diasporës që të respektojë masat mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj tha se me ardhjen e diasporës, nevojitet kujdes i shtuar dhe që institucionet të mbikëqyrin zbatimin e masave në mënyrë rigoroze edhe në pikat kufitare, por edhe në brendi të territorit të shtetit.

“Në kuadër të koordinimit dhe aktiviteteve, nuk guxon dhe nuk guxojmë që të na dështojë asnjë hallkë e mbikëqyrjes sepse atëherë dështojmë të gjithë për të njëjtën situatë”, ka deklaruar të hënën ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Infektologu Sali Ahmeti në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se duke marrë parasysh rrethanat specifike në Kosovë, me pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi, kujdesi i qytetarëve duhet të jetë në mënyrë maksimale, pasi qytetarët nga diaspora mund të infektojnë të tjetër apo edhe anasjelltas dhe më pas ta bartin virusin edhe në shtetet ku jetojnë.

“Çdo lëvizje e qytetarëve dhe çdo tubim jashtë normave të parapara bartë në vete një rrezik për bartjen e infeksioneve”, thekson Ahmeti.

Ahmeti: Mos lejoni që harmonia festive, të marrë kahe të padëshiruar

Megjithatë, Ahmeti shton se janë të përgatitur për një rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus.

“Dua të besoj se as bashkatdhetarët, por as qytetarët e Kosovës nuk do lejojnë që numri i rasteve të tejkalojë parashikimet tona. Pasi në raste të tilla, natyrisht ne (QKUK-ja) do të mbingarkohemi, puna do të vështirësohet dhe e gjithë kjo harmoni festive do të marrë kahe të padëshiruar edhe për bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë”, shprehet Ahmeti.

Shujaku: Ardhja e diasporës do ta “ngjallë” ekonominë

Shpejtim Shujaku, zyrtar i projekteve në organizatën “Germin”, që merret kryesisht me çështje të diasporës, thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët nga diaspora janë të kujdesshëm në respektimin e masave, pasi një obligim të tillë e kanë pasur edhe nga shtetet që vijnë.

Ardhja e tyre në Kosovë, thotë ai, do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi.

“Një aspekt mjaft pozitiv është aspekti ekonomik, i cili padyshim se do të ketë ndikim pozitiv në ekonominë e vendit, duke rritur konsumin e përgjithshëm dhe qarkullimin e parasë, duke marrë parasysh faktin, që gjatë sezonit të verës, shumica nuk kanë pasur mundësi ta vizitojnë vendin e prejardhjes”, tha Shujaku.

Ai ndërkaq shton se rreth 700 milionë euro janë dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës edhe gjatë pandemisë COVID-19, me gjithë faktin se pandemia ka prekur edhe shtetet ku punojnë dhe jetojnë emigrantët nga Kosova.

Ndryshe, disa shtete të Evropës, si Gjermania, Holanda, Italia, Britania e Madhe dhe Franca ku jetojnë edhe një pjesë e madhe e diasporës së Kosovës, kanë paralajmëruar izolim gjatë Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, në përpjekje për të frenuar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit të ri.

Marketing